Lutfi Haziri flet për dy gjilanasit që gjenden nën rrënojat e një hoteli në Durrës: Lutemi të mbijetojnë
Mëngjesi i sotëm ishte tejet i vështirë për shqiptarët. Disa tërmete radhazi goditën Shqipërinë, teksa rihteri më i lartë arriti 6.4 shkallë.
Durrësi dhe Thumana janë dy nga vendet më të prekura nga këto tërmete, përderisa numri i personave që kanë humbur jetën ka arritur në 16.
Qindra persona të tjerë njoftohet të jenë të lënduar, përderisa ekipet e shpëtimit po vazhdojnë kërkimet për të ngujuarit e shumtë që nuk dihet nëse janë të gjallë apo jo.
Në mesin e të ngujuarve në Durrës janë edhe dy kosovarë. Indeksonline ka raportuar se janë pikërisht Shemsedin e Isa Abazi nga fshati Livoç i komunës së Gjilanit të cilët gjenden nën rrënojat e një hoteli në Durrës.
Në një përgjigje për Indeksonline, i pari i komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri ka deklaruar se janë njoftuar lidhur me rastin dhe se tashmë janë në kontakt me familjen.
“Po, jemi informuar dhe jemi në kontakt me familjen. Lutem që të mbijetojnë”, shtoi Haziri.
Informacionin lidhur me dy kosovarët e ka konfirmuar edhe vetë ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Nait Hasani, i cili tha se ekipet emergjente janë duke bërë maksimumin që ata të lokalizohen dhe shpëtohen.
Edhe pse kanë kaluar shumë orë nga goditjet e tërmeteve, shumë shqiptarë vazhdojnë të jenë nën mëshirën e fatit për të mbijetuar nga këto rrënoja./Indeksonline/