Nis vendosja e të prekurve nga tërmeti në Parkun Inovativ, në Prizren
Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj ka njoftuar se ka filluar zhvendosja e shqiptarëve të prekur nga tërmeti në Parkun Inovativ në Prizren.
Ambasada Gjermane në Prishtinë dhe GIZ-i, janë në përkrahje të vazhdueshme në koordinim dhe në ndihma.
“Në koordinim me ambasadorin gjerman në Kosovë z. Christian Heldt, kryetarin e Komunës së Prizrenit Mytaher Haskuka, ministrin e Shëndetësisë në detyrë Uran Ismaili, drejtorin e policisë Rashit Qalaj, drejtorin e Agjencisë për Menaxhim Emergjent Fadil Kodra, Ministrinë e Punëve të Brendshme – drejtorin Valon Krasniqi dhe përfaqësuesit e GIZ-it, jemi dakorduar që koordinator i ekipit ndër – institucional të pranimit, strehimit dhe kujdesit për të zhvendosurit nga Shqipëria në Parkun Inovativ Trajnues Kosovaro – Gjerman në Prizren, të jetë Faruk Dakaj – drejtor për Emergjenca dhe Siguri, i ndihmuar nga të gjitha institucionet relevante qendrore dhe lokale.
Tashmë nga ky mobilizim, në Parkun Inovativ dhe Trajnues Kosovaro – Gjerman është në proces të sistemimit të personave të zhvendosur nga Shqipëria dhe po ky ekip është angazhuar që t’u ofrojë gjithë ndihmën e nevojshme.
Policia e Kosovës ka siguruar Parkun Inovativ Trajnues Kosovaro – Gjerman, Agjencia e Emergjencave ka dërguar ekipin adekuat, Ministria e Shëndetësisë dhe Komuna e Prizrenit janë kujdesur për ekipet mjekësore primare dhe sekondare, Ministria e Punëve të Brendshme ka dërguar ekipet adekuate për menaxhim të zhvendosjen, shoqëria civile dhe qytetarët në koordinim me Komunën e Prizrenit kanë ofruar ushqim dhe materiale të tjera të nevojshme.
Ambasada gjermane në Prishtinë dhe GIZ-i, janë në përkrahje të vazhdueshme në koordinim dhe në ndihma.
Dua t’i falënderoj të gjithë qytetarët e Prizrenit, institucionet qendrore dhe lokale të Republikës së Kosovës, për gatishmërinë, përgjegjësinë, reagimin dhe profesionalizmin e treguar në këtë gjithë këtë situatë tragjike për bashkëkombësit tanë.
Mediat do të informohen me kohë, për mundësinë e mbulimit medial të strehimit, akomodimit dhe kujdesit.
Kosova, në mënyrë institucionale, Ambasada gjermane në Kosovë, GIZ-i dhe qytetarët e Kosovës me ndjenjën e solidaritetit do të jenë në dispozicion dhe pranë popullit shqiptar në këto momente të vështira”, shkruan Haradinaj në njoftim./Indeksonline/