Taksa mbyll shumë biznese në Luginë të Preshevës
Sipas të dhënave zyrtare të Doganës së Kosovës, nga rreth 400 milionë euro eksport të produkteve të Serbisë në Kosovë, brenda një viti që kur është vendosur taksa, vlera e eksportit ka rënë në 4 milionë euro. Në përqindje, kjo vlerë ishte përkthyer në humbje të tregut të Kosovës për 99 për qind.
Një nga bizneset e cila e ka mbyllur veprimtarinë e saj në Komunën e Preshevës për shkak të vendosjes së taksës 100 për qind është kompania “Euro Plast”, e cila merret me prodhimin e termo folive industriale për agrokulturë dhe prodhimin e qeseve të plastikës.
Përfaqësues të kësaj kompanie, i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se kanë mbyllur kompaninë në Preshevë dhe janë zhvendosur në Kosovë në qytetin e Gjilanit. Raste të tilla të mbylljes së bizneseve në Luginë dhe transferimit të tyre në Kosovë, raportohen disa, por përfaqësuesit e tyre hezitojnë të flasin.
Ndërkohë, Komuna e Preshevës, është përpjekur që disa nga bizneseve të cilat pësuan humbje nga taksa 100 për qind, t’u sigurojë subvencione. Kështu thotë, kryetari i kësaj komune, Shqiprim Arifi. /REL/
“Deri në momentin që taksa është ende ekzistente, bizneset tona janë të dëmtuara, kjo nuk nënkupton që ne politikisht nuk e kemi përkrahur vendimin mbi taksën pasi që ka qenë më shumë një vendim politik sesa ekonomik, por për neve nga perspektiva lokale bizneset tona janë dëmtuar, papunësia është rritur, ka pasur largim nga vendet e punës të të rinjve tanë dhe në këtë formë shpërngulja është zhvilluar”, thotë Arifi.
Lugina e Preshevës, shton Arifi, është viktimë e politikave të ndërsjella Kosovë – Serbi.