75 Mall Live Search
18:43 / E Hënë, 09 Dhjetor 2019 / indeksADMonline

Largimi i 7 futbollistëve, Feronikelit mund t’i kushtoj mbi 300 mijë euro

Ardhja e trajnerit Agim Sopi dhe e këshilltarit Albert Bunjaku te Feronikeli, po bën që kjo skuadër të pësoj ndryshime të mëdha.

Kampioni në fuqi ka zyrtarizuar në faqen e saj se gjatë këtij dimri do të largohen shumë futbollistë, për t’ua liruar vendin të rinjëve, shkruan Indeksonline.

“Kastriot Rexhës, Astrit Fazliut, Albutrint Morinës, Lulëzim Doshlakut, Haxhi Nezirajt, Milosh Krkotiqit dhe Arbër Prekazit u kemi treguar se më nuk janë pjesë e planeve të skuadrës dhe gjatë janarit duhet të gjejnë një skuadër të re pasi që nuk do të kenë minutazh të mjaftueshëm në skuadrën e parë“, ka thënë zëdhënësi Erlind Krasniqi.

Megjithatë, të gjithë futbollistët e lartëcekur aktualisht janë nën marrëdhënje kontraktuale me Feronikelin dhe arritja e marrëveshjes për shkëputje të bashkëpunimit mund të mos jetë e thjeshtë.  

Sipas burimeve të Indeksonline, disa prej tyre janë të interesuar të qëndrojnë e disa duan të largohen.

Rexha, Fazliu, Morina e Doshlaku kanë edhe nga një vit e gjysmë kontratë me “Niklin”, ndërsa Neziraj e Krkotiq edhe 6 muaj.

Paga e tyre është mjaft e lartë dhe nëse ata insistojnë në kompenzim material për kohën e mbetur, do të thoshte kosto e lartë për klubin, ngase vlera totale e pagave të futbollistëve, kap shifrën mbi 300 mijë euro.

/Indeksonline/