Vdekja e dyshimtë e Hetem Dedës, Prokuroria po kryen hetimet
Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka konfirmuar se trupi i pajetë i gjetur rreth një javë më parë në Prishtinë, është i Hetem Dedës, 44 vjeçarit nga Podujeva, i cili ishte zhdukur që nga muaji maj i këtij viti.
Laureta Ulaj, zëdhënëse e Prokurorisë Themelore ka thënë për IndeksOnline se trupi i pajetë është gjetur me 07.11.2019, në pjesën malore, afër rrugës “1 Tetori” në Prishtinë.
“Prokurori i rastit, ka lëshuar urdhëresë për autopsi në Institutin e Mjekësisë Ligjore, si dhe janë krahasuar mostrat e ADN-së, me ç’rast ka rezultuar që trupi i pajetë është i Hetem Dedaj”, ka thënë Ulaj.
Sipas saj, ky rast është duke u hetuar, në mënyrë që të sqarohen të gjitha rrethanat e vdekjes.
Ndryshe familjarët e Hetemit kanë njoftuar se varrimi i tij do të bëhet nesër në Buric, në ora 15:00.
Organet e hetuesisë janë duke u marrë intenzivisht me këtë vdekje që konsiderohet e dyshimtë./IndeksOnline/