Arrestohen dy persona për tentativë grabitjeje të armatosur
Sot nga Njësiti për Reagim të SHpejtë (NjRSH), janë arrestuar dy persona të dyshuar për tentativë grabitjeje të armatosur.
Aksioni është kryer rreth orës 03:00 në rrugën magjistrale Prishtinë – Ferizaj, nga NJRSH, ku janë ndalur dy persona të dyshuar, të cilët po qarkullonin me veturën e tipit VW Polo (me targa të një automjeti tjetër).
Gjatë kontrollimit të tyre policia ka gjetur dhe sekuestruar një armë automatike AK 47, një karikator me 6 fishekë, tri palë doreza, targat e veturës (që dyshohen të jenë të vjedhura), vetura si edhe gjësende të tjera, të cilat mund shërbejnë si dëshmi në procedurë.
Personat e arrestuar, të cilët dyshohet të jenë të përfshirë edhe në raste të tjera të natyrës së njëjtë: D.T., mashkull, 21-vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës dhe B.B., mashkull, 21-vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, pas intervistimit nga ana e hetuesve rajonal si dhe marrjes së vendimit nga prokurori janë dërguar në qendrën mbajtjes, për përfundimin e të gjitha veprimeve të nevojshme hetimore dhe procedurale para se rasti t’i kalojë institucioneve kompetente.
Ndaj tyre janë iniciuar rastet: Grabitje në tentativë, vjedhje e rëndë dhe mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve./IndeksOnline/