75 Mall Live Search
10:50 / E Premte, 27 Dhjetor 2019 / indeksADMonline

Sot 2 vjet më parë u ble Van Dijku, pjesa tjetër histori, rekorde, kupa e “postblloqe”

Sot 2 vjet më parë Jurgen Kloppi vendosi të bënte blerjen më të shtrenjtë në karrierën e tij si trajner dhe më të shtrenjtën në histori te Liverpoolit.

Virgil Van Dijku u transferua nga Sauthamptoni për 75 milionë funte. Kjo blerje mori kritika në media dhe Kloppi filloi të “gozhdohej” për shpenzimin e kaq shumë parave për një djalosh që luante te një skuadër, e cila synonte mbijetesën.

Por, gjithçka ishte kështu deri në momentin kur Virgili u fut në fushë.

Që nga paraqitja e parë e tij, mbrojtja e Liverpoolit filloi të “betonohej”. Shifrat e tregonin këtë më së miri, ndërsa Van Dijku nisi të bëhej makth i sulmuesve, shkruan Indeksonline.

Virgili e udhëhoqi Liverpoolin drejt dy finaleve të Ligës së Kampionëve, ndërsa arriti të fitonte njëren nga ta.

Mbrojtësi holandez shpejt arriti të bëhej mbrojtësi më i mirë në botë dhe futbollisti i dytë më i mirë në botë në ceremoninë e “Topit të artë”.

Virgili arriti që ta udhëhiqte Liverpoolin edhe në finalen e Kupës së Botës për Klube, duke e mbajtur portën e paprekur për 120 minuta në finalen ndaj Flamengos.

Shumë analistë e njohës të futbollit e llogarisin atë si mbrojtësin më të mirë të dekadës së fundit dhe padyshim një nga më të mirët që ka pasur Premierliga ndonjëherë./Indeksonline/