75 Mall Live Search
10:46 / E Martë, 07 Janar 2020 / indeksADMonline

Haksuka s’i vendosi shiritat për ndalim, por mori pjesë në përurimin e objektit pa pranim teknik të qendrës tregtare “Galeria”

Qytetarët e Prizrenit kanë shprehur dyshime nga më të ndryshmet për objektin e “Galeria Shoping Mall”, duke e shprehur habinë dhe dyshimet nëse Komuna e Prizrenit e ka bërë pranimin teknik të objektit.

Dyshimet e qytetarëve dalin të bazuara sepse edhe Komuna e Prizrenit ka dyshime dhe ka vërejtje dhe rekomandime.

I pyetur nëse objekti i qendrës tregtare “Galeria” ka pranim teknik drejtori i Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor Fatmir Memaj, thotë: “Ky objekt ende nuk ka pranim teknik”.

Të së njëjtës pyetjeje i është përgjigjur edhe Lis Dorambari zyrtari për informim në kabinetin e kryetarit. Ai sqaron se kërkesa për pranim teknik është bërë, por jo edhe pranimi, sepse komisioni i Urbanizmit i ka dhënë disa vërjetje dhe rekomandime investitorit.

“Qendra tregtare ‘Galeria’ ka bërë kërkesë për pranim teknik dhe për këtë qëllim Drejtoria e Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor ka formuar një komision, i cili ka dalë në terren dhe ka bërë inspektimin. Pas inspektimit komisioni i ka dhene disa vërejtje dhe rekomandime investitorit. Shqyrtimi i kesaj lënde është në proces dhe do të vazhdojë pasi që investitori t’i përgjigjet rekomandimeve të komisionit” thuhet në përgjigjen e zyrtarit për informim Lis Dormabari.

Pyetja që shtrohet është a e dinte kryetari se objekti nuk kishte pranim teknik kur mori pjesë në përurimin e objektit, ndërsa qytetarët prizrenas i kanë dyshimet e tyre, të cilat i përligj edhe vetë komisioni i Drejtorisë për Urbanizëm dhe Planifikim Hapësinor. /Prizreni  Sot/