Ia mori jetën vajzës e dhëndrit, pritet të dalë para gjyqit

Osman Shaptafaj, 55-vjeçari i cili qëlloi për vdekje vajzën e tij dhe dhëndrin në 31 dhjetor në Australi, është jashtë rrezikut për jetën, e sipas “Daily Mail”-it, nuk do të vonojë shumë që të dalë para gjykatës, ku do të përballet me akuzën e vrasjes së dy vetave.
Shaptafaj nuk jetonte me të bijën, e cila ishte rritur vetëm me të ëmën.
Lindita Musai, siç thonë njerëz pranë saj, kishte pasur një marrëdhënie të vështirë me të atin, të cilin dhe e kishte frikë.
Ajo po përpiqej të fillonte një jetë të re me të shoqin, Veton Musai, larg babait që mbrëmjen e ndërrimit të viteve, ua mori jetën të dyve, duke i qëlluar me një breshëri plumbash, shkruajnë mediat shqiptare.
Shaptafaj më pas e ktheu armën edhe nga vetja, e gjatë këtyre ditëve, ka qenë në spital në gjendje kritike për jetën.
Por situata e tij së fundi është stabilizuar dhe autoritetet po shpresojnë që ta marrë sa më shpejt veten për ta çuar në sallën e gjyqit.
Në një postim të mëhershëm në Facebook, Shaptafaj shkruante: “Mund të më doni, apo të më urreni, të dyja janë në favorin tim. Nëse më doni, do të jem gjithmonë në zemrën tuaj; nëse më urreni, do të më keni gjithmonë në mendje”!
55-vjeçari jetonte vetëm 5 km larg së bijës, e cila, ashtu si edhe e ëma, ishte përpjekur ta mbate larg jetës së saj shkaku i trazirave që shkaktonte në familje.
Burri nuk kishte precedent të theksuar penal dhe vetëm një herë ishte ndaluar për drejtim mjeti në gjendje të dehur.
Vëllai i Vetonit, Drilon Musai, ka bërë një postim mjaft prekës në rrjetet sociale. Ai thotë se vëllai dhe nusja e tij ishin dy engjëj, ndërsa kujtimi i tyre nuk do të shuhet asnjëherë. “Ju ishit zilia e të gjithëve”, ka shkruar ai. “Vetoni ishte vëllai im, shoku im më i mirë. Bota do të ishte një vend i mrekullueshëm nëse të gjithë do të kishin pikëpamjen tuaj për jetën”, thuhet ndër të tjera në mesazh.