Vetëvendosje i dërgon ofertën e fundit LDK-së?

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i ka dërguar mbrëmë vonë ofertën e fundit, kryetarit të LDK-së, Isa Musatafa.
Në këtë ofertë, Kurti ka propozuar rritjen e numrit të ministrive nga 12 në 14. Kështu, LDK-ja do të ketë 6 ministri, VV-ja pesë, derisa minoritetet tri ministri.
Oferta nga Kurti te Mustafa ka shkuar të hënën rreth orës 22:00.
Në këtë ofertë janë detajuar të gjitha pozitat që do të mbante secili subjekt.
“Kryeministri, kryetari i Kuvendit, zv.kryeministri i 2-të, një nënkryetar Kuvendi, 5 ministri do t’i takoninVV-së”, thuhet në propozim.
VV-ja, në këtë propozim ka ofruar që LDK-ja të ketë zv,kryeministri i 1-rë, nënkryetari i 1-rë i Kuvendit, 6 ministri, dy zv.ministra më shumë se LVV-ja.
Po ashtu VV-ja është pajtuar që LDK-ja ta propozojë kandidatin për president, i cili sipas VV-së plotëson të gjitha kushtet dhe të gjitha kriteret kushtetuese.
“Nëse, për çfarëdo arsye nuk zgjedhet Presidenti, atëherë LDK do ta marrë një ministri shtesë”, thuhet në propozim.
Që nga e enjtja e javës së kaluar, nuk ka pasur më një takim LDK-VV. Pas këtij takimi të fundit të dy liderët e këtyre partive, ikën duke mos u prononcuar para medieve.
Ndërkaq dje, pas vizitës së ambasadorit amerikan Philip Kosnett në LDK, ku ai u bëri thirrje të dy partive që ta formojnë sa më shpejt Qeverinë, një prononcim të shkurtër e dha kryetari i LDK-së Isa Mustafa.
Kreu i LDK-së, pas takimit me Kosnett, tha se zgjidhjen e kanë VV-ja për marrëveshjen. /insajder/
Ndërsa dje pas konfirmimit se nuk do të ketë takim LVV-LDK, në një përgjigje për Gazetën Insajderi, Albulena Haxhiu nga Lëvizja Vetëvendosje, ka thënë se nuk ka garanci për një marrëveshje me LDK-në.