Policia me detaje për shpërthimin e sotëm, në Pejë

Policia Rajonale e Pejës ka dhënë detaje për rastin e shpërthimit të ndodhur sot në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Pejë, për të cilin rast ka raportuar më herët edhe IndeksOnline.
Sipas policisë, sot rreth orës 03:50, persona të dyshuar, identiteti i të cilëve për momentin është i panjohur, kanë hedhur një mjet të improvizuar ndezës, në derën anësore (ndihmëse) të QKMF-së Pejë.
Sipas të dhënave nga punëtorët e qendrës, është dëgjuar një krismë (shpërthim) dhe menjëherë ata njëjtit kanë dalë dhe kanë vërejtur zjarrin i cili kishte përfshirë hyrjen e sipërcekur, ku zjarrin kanë arritur ta shuanin me anë të aparateve për fikjen e zjarrit.
“Policia menjëherë ka shkuar në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë veprimet e nevojshme operative-hetimore. Njësitet relevante të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Pejë, janë duke punuar intensivisht në bashkëpunim të plotë me Prokurorin e Shtetit, për të zbuluar të gjitha rrethanat e këtij rasti, si edhe për të identifikuar personat e dyshuar”, thuhet në njoftimin e policisë./IndeksOnline/