75 Mall Live Search
18:32 / E Martë, 28 Janar 2020 / indeksADMonline

Reagon futbollisti që u filmua duke pirë duhan: Ishte rast ditëlindje

Kombëtarja e Kosovës në futsall sot është nisur për në Gjeorgji, atje ku do të marrë pjesë në raundin e parë kualifikues për kampionatin evropian të futsallit “Euro 2022”.

Derisa po prisnin për të hypur në aeroplan, disa nga futbollistët e Kombëtares janë fotografuar duke pirë duhan.

Në mesin e atyre që shihen fotografi, është edhe ndër lojtarët kryesorë të Kombëtares, Oso Gjinovci.

Gjinovci është penduar dhe ka dërguar një letër përmes të cilës ka kërkuar falje për veprimin e tij dhe të bashkëlojtarëve.

Në emër të bashkëlojtarëve, unë Oso Gjinovci kërkoj falje për atë se çfarë ka ndodhur sot në aeroport, para udhëtimit tonë për në Gjeorgji. Kjo çfarë kemi bërë ne, nuk është dashtë të ndodhë, është një gabim për të cilin kërkojmë falje. Ne nuk jemi konsumues të rregullt të cigares. Arsyeja pse ne sot jemi parë duke e bërë atë veprim, është ditëlindja e bashkëlojtarit tonë Malush Qerimi. Jemi të vetëdijshëm se ky veprim nuk është një mesazh që duhet të dërguar te gjeneratat e reja, pasi ne përfaqësojmë shtetin e Kosovës, me shumë përgjegjësi dhe krenari. Ne do të tentojmë që këtë gabim, ta përmirësojmë në parket gjatë këtyre kualifikimeve. Më lejoni që ne në shumë raste kemi udhëtuar dhe kemi zhvilluar ndeshje për Kosovën me mjete financiare vetanake, këtë nuk e kemi përmendur asnjëherë dhe prapë jemi në gjendje të bëjmë një gjë të tillë, pasi për ne më e rëndësishme është fanella e Kosovës. Për fund, ju kërkoj edhe njëherë falje dhe ju garantoj se nuk do të përsëritet ky veprim në të ardhmen“, ka shkruar Gjinovci në letrën drejtuar Insportit.

Në këto kualifikime ‘Dardanët’ e futsallit do t’i luajnë tri ndeshje: kundër Austrisë më 29 janar, në orën 16:00, kundër Gjermanisë, më 30 janar, po ashtu në orën 16:00 dhe kundër Gjeorgjisë, më 2 shkurt, në orën 22:00. /IndeksOnline/