75 Mall Live Search
09:22 / E Enjte, 30 Janar 2020 / indeksADMonline

Bastisen zyrat e klubit të Mergim Vojvodës, hetohet për mashtrim në transferime

Hetuesit belgë kanë bastisur zyrat e klubit të futbollit Standard Liege dhe shtëpinë e presidentit të klubit të mërkurën, si pjesë e një hetimi për korrupsion në transferimin e lojtarëve, kanë njoftuar mediet belge.

Klubi, një prej të mëdhenjve në Belgjikë, ka konfirmuar bastisjet në një komunikatë të shkurtër për media, duke thënë se është lidhur me hetimet e gjëra me qendër një agjent futbolli që është arrestuar në Monaco vitin e kaluar.

Zyra e Prokurorit Federal ka njoftuar se dy bastisje janë bërë në zonën e Liegetit dhe se janë konfiskuar dokumente, të dhëna kompjuterike dhe celularë. Nuk ka pasur arrestime.

Standard Liege ka thënë se klubi dhe presidenti Bruno Venanzi, do të bashkëpunojnë plotësisht.

Agjenti me seli në Monaco, Christophe Henrotay, ishte arrestuar me kërkesë të një gjykatësi nga Brukseli në shtator.

Ai ishte përfshirë në një seri transferimesh ndërkombëtare dhe në mesin e klientëve të tij janë portieri i Belgjikës, Thibaut Courtois dhe sulmuesit anësor Yannick Carrasco dhe Kevin Mirallas.

Kujtojmë se te Standard Liege luan mbrojtësi i Kombëtares së Kosovës, Mërgim Vojvoda.