I lëshon cigarja, Kosova mposhtet nga Gjermania

Kombëtarja e Kosovës në futsall është mposhtur me rezultat 8-4 në ndeshjen eliminatore për Euron 2020.
Dardanët bënë paraqitje të mirë, por nuk arritën të merrnin pikë kundër një kundërshtari të fortë.
Golat për Kosovën i shënuan Drilon Maxharraj (0’27”, 24’07”), Malush Qerimi (22’59”) dhe Melos Kelmendi 29’17”.

Kjo humbje vjen pas fitores së djeshme 4-2 kundër Austrisë.
Pas kësaj humbjeje, Kosova renditet e treta me tri pikë, po aq sa ka Gjermania e dyta dhe Gjeorgjia e para.
Ndeshjen e fundit në grup, Dardanët do ta zhvillojnë ndaj Gjeorgjisë.
Kujtojmë se vendi i parë kalon në rundin e tretë, vendi i dytë në rundin e dytë, ndërsa vendi i tretë e ka mundësinë e kualifikimit përmes renditjes së skuadrave të treta më të mira.
Nisja e tyre për këtë kompeticion bëri bujë të madhe pasi disa futbollistë të Kosovës u panë duke konsumuar duhan dhe kjo bërë që ata të etiketohen shumë dhe të kritikohen. /IndeksOnline/
