Telaku e Retkoceri vizituan Akademinë Ushtarake, në Sandhurst

E ngarkuara me punë në Ambasadën e Kosovës në Londër, Heroina Telaku, së bashku me atasheun e Mbrojtjes, nënkolonel Beton Retkoceri, kanë vizituar Akademinë Ushtarake, në Sandhurst.
Aty kanë takuar kapiten Ismail Hoxha, i cili është instruktor në këtë institucion shumë prestigjioz dhe nëntoger Klevis Elezajn, i cili po vijon studimet me shumë sukses, raporton IndeksOnline.
Telaku ka thënë se nga udhëheqësit e akademisë kanë dëgjuar vetëm fjalë të mira për Hoxhën e Elezajn.
Njoftimi i plotë i Heroina Telakut, i postuar në Facebook:
Gjithmonë ndjenjë e veçantë krenarie kur vizitoj Akademinë Ushtarake në Sandhurst. Dje së bashku me atasheun e Mbrojtjes Nënkolonel Beton Retkocerin isha për një vizitë lamtumirëse në këtë institucion. Kapiten Ismail Hoxha tashti gati një vit është instruktor në këtë institucion shumë prestigjioz, ndërsa nëntoger Klevis Elezaj po vijon studimet me shumë sukses. Zemra mal kur dëgjon fjalët më të mira për djemtë tanë nga udhëheqësit e këtij institucioni./IndeksOnline/

