75 Mall Live Search
17:33 / E Mërkurë, 05 Shkurt 2020 / indeksADMonline

A mund të bëhet në Kosovë shërbimi ushtarak i obligueshëm, flasin ekspertët

Kryeministri i zgjedhur i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se me qeverisjen Vetëvendosje-LDK shërbimin ushtarak do ta bëjnë të detyrueshëm.

Sipas tij, një shërbim i tillë do të ndihmojë FSK-në në përmbushjen e detyrave në fushën e mbrojtjes. Por, ish-udhëheqës të FSK-së dhe njohës të sigurisë në vend po konsiderojnë se një gjë e tillë aktualisht është e panevojshme, koston e së cilës buxheti i Kosovës nuk do të mund ta mbulonte. Ndërkohë në Ministrinë e Mbrojtjes thonë se FSK do të zbatojë çdo ligj që miratohet nga Kuvendi i Kosovës.

Në fjalimin e tij para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, pak orë para se të votohej Qeveria e re, Albin Kurti foli edhe për planin qeverisës në fushën e sigurisë.

Ai tha se me qeverisjen e tij, do të nisin përgatitjet që shërbimin ushtarak ta bëjnë obligativ, në përputhje me praktikat dhe standardet më të mira të vendeve të NATO-s.

“Me qeverisjen tonë, shërbimi ushtarak bëhet i detyrueshëm. Në përputhje me praktikat dhe standardet më të mira të vendeve të NATO-s do t’i fillojmë përgatitjet për shërbimin obligativ ushtarak. Ky shërbim do të jetë në kohëzgjatje tremujore, i cili do t’i ndihmojë FSK-së t’i përmbushë detyrat dhe rolin e saj shtesë në fushën e mbrojtjes” deklaroi Kurti gjatë prezantimit të programit qeverisës në seancën e votimit të qeverisë”, tha Kurti në Kuvendin e Kosovës.

Por, ish-komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Kadri Kastrati po konsideron që FSK ende nuk i ka ngritur të gjitha kapacitetet fillestare, dhe një projekt i tillë nuk e ka kohën tani.

Sipas tij, shërbimi ushtarak i detyrueshëm është i panevojshëm në Kosovë dhe shumë i kushtueshëm, meqë sipas tij, duhet fokusuar në ngritjen dhe mbajtjen e kapaciteteve të operacionale të planifikuara në planin 10-vjeçar të tranzicionit.

“Akoma as kapacitetet fillestare Forca e Sigurisë nuk i ka ngritur apo ushtria. Dhe do të duhej edhe disa vite, minimum 7 vjet që Kosova të ketë ushtrinë e vet me kapacitetet operacionale që janë të planifikuara dhe studiuara në atë kohë. Dhe vetëm pas kësaj, ne mund të mendojmë që të studiojmë një projekt të tillë që Kosova të ketë shërbim të detyrueshëm. Nën dy, mendoj që ekonomia e Kosovës për momentin është e pamjaftueshme për t’i përballuar gjitha këto shpenzime për arsye se supozohej që diku 15.016 të rinj çdo vit i mbushin 18 vjeç, Kosova duhet të ndërtojë infrastrukturë, pajisje, uniforma, ushqime dhe të gjitha nevojat përcjellëse për të pasur shërbim të detyrueshëm ushtarak që janë shumë të kushtueshme dhe të panevojshme për momentin”, tha Kastrati.

Njohësi i çështjeve që kanë të bëjnë me ushtrinë Kadri Kastrati thotë se nëse Kosova synon të ecë drejt anëtarësimit në NATO, atëherë nuk duhet të brengoset nëse rrezikohet nga dikush jashtë.

Sipas tij, deklarata e kryeministrit Albin Kurti është politike dhe e pa studiuar mirë.

“Krejt ky buxhet për Kosovën çka është planifikuar në të gjitha ministritë që janë paraparë, nuk do të mjaftonte vetëm për ta përmbushur këtë projekt që zoti Kurti e ka paraparë për arsye se  ushtarët duhet të ketë një krevat, një uniformë, pajisje, armatim, duhet të ketë shumë e shumë pajise të tjera që për momentin nuk janë shumë të nevojshëm sa është e nevojshme ngritja e kapaciteteve që janë planifikuar dhe studiuar për përmbushjen e misionit Ushtria e Kosovës, e misioni kryesor është mbrojtja e integritetit dhe sovranitetit të vendit dhe pjesëmarrja në misione paqeruajtëse”, tha Kastrati.

Ibrahim Shala, drejtor i Informimit në këtë ministri ka thënë se FSK nuk miraton ligje, veçse i zbaton ligjet e miratuara nga Kuvendi i Kosovës.

“Kosova është Republikë Parlamentare. FSK i nënshtrohet kontrollit civil dhe demokratik, FSK nuk miraton ligje, ajo zbaton ligjet e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Çdo ligj që aprovohet për FSK-në nga Kuvendi, ajo do ta zbatojë”, i ka thënë Shala.

Ndërsa, Rrustem Berisha i cili deri sot ka udhëhequr me Ministrinë e Mbrojtjes, ka thënë për se shërbimi obligativ ushtarak tashmë është një sistem i vjetërsuar dhe një çështje e tillë kërkon një studim të veçantë.

“Kjo e do një studim të veçantë, nëse është menduar në aspektin e edukimit qytetar rreth mbrojtjes, sigurisë, është mundësi e mirë që të realizohet, por ne kemi një ligj që përcakton shërbimin në FSK, dhe sigurisht që edhe zotëri Quni edhe qeveria e te do të analizojë, do të studiojë premtimin elektoral të dhënë, dhe nëse vërtet e kanë ndonjë ide, sepse shërbimi ushtarak tash edhe nëpër shumë shtete të NATO-s nuk praktikohet, është sistem pak më i vjetruar, por nëse mendohet qe kjo të shkohet përmes shkollimeve e trajnimeve të ndryshme ka hapësirë edhe me ligjet aktuale, por nëse mendohet diçka tjetër dhe vlerësohet e domosdoshme atëherë duhet patjetër që të ndryshohet ligji në Parlamentin e Kosovës për shërbim në FSK”, tha Berisha.

Ai thotë se premtimi i qeverisë së re duhet të analizohet mirë në mënyrë qe të dihet sa është e nevojshme një gjë e tillë dhe sa mund të mbulohet me buxhet.

Kujtojmë se Forca e Sigurisë së Kosovës ka kaluar vitin e parë të tranzicionit, bazuar në një plan të paraparë për 10 vjet.

Në vitin e parë drejt transformimit në ushtri, në nëntor të vitit 2019 Forca ka shënuar ditën e saj për herë të parë me mandat të ri, atë ushtarak.