Osmani takon përfaqësueset e organizatës ‘Thirrjet e Nënave’: S’identifikoheshin se kush janë, por se kush ju mungon

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani bashkë me nënkryetaren e Kuvendit, Arbërie Nagavci kanë pritur në takim përfaqësueset e organizatës ‘Thirrjet e Nënave’.
Osmani tha se kurë morën të prezantohen ato s’identifikoheshin me atë se kush janë, por me atë kush ju mungon, transmeton Indeksonline.
Osmani tha se privimi nga afërsia fizike me më të dashurit e tyre i kishte afruar shpirtërisht më afër tyre.
E para e Parlamentit të Kosovës theksoi se dhimbjen për të dashurit do ta kenë gjithmonë, por nëse u hiqet barra e përgjegjësisë për vënie të drejtësisë, ato do të ndihen më të lehtësuara.

Postimi i plotë:
Sot, bashkë me nënkryetaren e Kuvendit, Arbërien, takuam përfaqësueset e organizatës “Thirrjet e Nënave.” Kur morën të prezentohen, ato s’identifikoheshin me atë se kush janë, por me ate se kush ju mungon. Në njërën anë, njëra s’kishte djalin; një tjetër s’kishte burrin, dy djemtë, dhe tre kunetët. Tjetra ishte pa dy djemtë; e katërta s’kishte burrin dhe kunetët. Në anën time tjetër, njëra kishte humbur burrin dhe dy djemë; tjetra burrin.
Privimi nga afërsia fizike me më të dashurit e tyre i kishte afruar shpirtërisht më afër tyre. Ato kishin pushuar të ekzistonin si njerëz të zakonshëm me ëndërra dhe frustrime; tash ndiheshin veç si mjet për të sjellë drejtësinë në vend për ta. Dy herë viktima, mendova. Njëherë viktima të privimit nga më të dashurit e tyre, e njëherë viktima të barrës së papërballueshme që kanë mbi supe për të sjellë drejtësinë në vend për ta. Dhimbjen për të dashurit do ta kenë gjithmonë, por nëse ne ua heqim barrën e përgjegjësisë për vënie të drejtësisë, ato do të ndihen më të lehtësuara. Ne si institucione duhet t’ua heqim këtë barrë. Ua kemi borxh.


