75 Mall Live Search
16:46 / E Diele, 23 Shkurt 2020 / indeksADMonline

Skena lufte në Itali, përplasje e dhunshme mes tifozëve

Tifozët e Lecce-s dhe Bari-t janë përleshur në autostradën A16 Canosa-Napoli duke shkaktuar shumë të plagosur.

Siç ka bërë të ditur leccenews24.it, 150 tifozë të Bari-t kanë bllokuar trakun duke hedhur gozhda në autostradë mes dy mjeteve që transportonin rreth 20 tifozë tifozë të Lecce-s, mes të cilëve ka pasur edhe fëmijë.

Tifozët e Barit kanë sulmuar dy mjetet me shkopinj druri dhe hekuri, duke dëmtuar keq dy mjetet dhe duke djegur një tjetër.

Disa prej tifozëve të Lecce-s, të cilët po udhëtonin drejt Roma-s për ndeshjen e mbrëmjes së sotme kundër verdhekuqve, kanë mbetur të plagosur.

Policia rrugore dhe ambulancat kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, teksa është dashur një orë që të bëhej i mundur qarkullimi normal i mjeteve.

Klubi i Bari-t ka reaguar me një komunikatë për shtyp, ku thuhej: “SSC Bari dënon ashpër atë që ka ndodhur sot. Çdo formë dhune duhet dënuar në mënyrë absolute dhe kategorike. Janë episode që nuk kanë asnjë lidhje me vlerat e klubit dhe qytetit të Barit”.

“Në pritje që autoritetet të hedhin dritë mbi atë që ka ndodhur, klubi i shpreh gjithë solidaritetin e tij U.S. Lecce-s dhe tifozëve të tyre, të cilëve iu urojmë një shërim të shpejtë”.