Protestë para ujësjellësit rajonal “Prishtina”, flet kryetari i Sindikatës

Gjatë ditës së djeshme, Bordi i drejtorëve në kompaninë e ujësjellësit rajonal “Prishtina”, ka marrë vendimin, që të shkarkojë kryeshefin ekzekutiv, Ilir Avdullahu, shkruan IndeksOnline.
Për këtë, Sindikata e ujësjellësit “Prishtina” ka reaguar pas shkarkimit të kryeshefit ekzekutiv të kësaj kompanie, duke mbajtur sot një protestë paqësore.
Rashit Mehmetaj, kryetar i sindikatës, për IndeksOnline ka thënë se është bërë shkelje ligjore me emërimin e zëvendësuesit të Avdullahut, Kapllan Parduzi.
Mehmetaj ka thënë se është dashur që të emërohej zëvendësdrejtori aktual.
Ai shtoi se nuk janë të kënaqur me vendimet e marra nga Bordi i drejtorëve.
“Në ujësjellsin e Prishtinës ka ndodhur një shqetësim me rastin e shkarkimit të drejtorit të kësaj kompanie.
Mirëpo ky nuk është vetëm shqetësimi ynë, që është shkarkuar drejtori, sepse është bordi ai që i ngarkon dhe i shkarkon, por gjithnjë edhe më herët janë shkarkuar dy drejtorë edhe sot kompania e ujësjellsi “Prishtina” duhet t’i paguajë 200 mijë euro ata.
Ky vendim i shkallës së parë ka ardhur, e i shkallës së dytë ende nuk ka arritur”, ka thënë ai.
Mehmetaj ka thënë se protesta është bërë edhe për shkak të keqmenaxhimit të kësaj kompanie.
“Andaj, ka keqmenaxhim në këtë kompani. Ne kemi edhe shqetësimet tona edhe të Auditimit Kombëtar, i cili ka qenë vitin e kaluar edhe kemi shqetësimet tona ku janë dëmtuar disa gjetje bukur të mëdha.
Ne nuk jemi tubuar që të mbrojmë liderët, por që të ruajmë buxhetin dhe resurset e kompanisë së ujësjellësit.
Ne kemi bërë një protestë paqësore, demokratike që të përçojmë një mesazh, i cili është që të ruajmë ujësjellësin, të ruajmë kompaninë”, ka thënë ai./IndeksOnline/