75 Mall Live Search
20:34 / E Premte, 13 Mars 2020 / indeksADMonline

Testohen lojtarët e Kosovës për koronavirus, zbulohet gjendja e tyre

Menaxheri i Kombëtares së Kosovës, Bajram Shala, e ka konfirmuar se dy lojtarë të Kosovës janë testuar për koronavirus, ndërsa ndihmëstrajneri i Kosovës, Muharrem Sahiti, ka thënë se të gjithë ata po ndihen mirë.

Ekipi kombëtar i Kosovës përbëhet në shumicë nga lojtarë të cilët luajnë në liga të huaja në Evropë, përveç portierit të tretë Visar Bekaj i cili luan për Prishtinën, transmeton Gazeta Express.

Përderisa ky ka qenë lajm i mirë për Kosovën deri më tani pasi që do të thotë se ka lojtarë cilësorë në ekipin e Dardanëve, fakti që ata luajnë nëpër Evropë bën që ata të kenë qenë në vende të prekura nga koronavirusi gjatë kësaj kohe.

Amir Rrahmani e Samir Ujkani luajnë në Itali, që është vendi më i prekur në Evropë nga koronavirusi, një bashkëlojtar i Florent Muslijës është infektuar me koronavirus, njëjtë si me pronarin e klubit të Arijanet Muriçit.

Menaxheri i Kosovës, Bajram Shala, ka bërë të ditur se dy prej tyre janë testuar, ndërsa edhe Rrahmani është vendosur në karantinë.

“Teste kanë bërë dy lojtarë, katër lojtarë të Kosovës janë pak më të ekspozuar ndaj këtij rreziku: portieri Aro Muriç pasi që kryetari i klubit të tij është infektuar, është Florent Muslija pasi që njëri bashkëlojtar i tij ka testuar pozitiv dhe Samir Ujkani e Amir Rrahmani që janë të Itali, por që bashkëlojtarët e tyre s’janë infektuar”, ka thënë Shala në emisionin sportiv “Favorit” në T7.

“Deri tash teste kanë pasur Florent Muslija, që fatmirësisht ka marrë përgjigje negative, dhe Aro Muriç që gjithashtu doli negativ. Akoma Verona, ku luan Rrahamni, s’i ka dërguar lojtarët për test”.

“Kundërshtari i Rrahmanit në ndeshjen e fundit, Gabbiadini, ka dal pozitiv. Rrahmani ka pasur shumë kontakt me Gabbiadinin në ndeshjen e fundit, pasi që ai është qendërsulmues e Rrahmani qendërmbrojtës. Mirëpo, fatmirësisht, ende s’ka pasur ndonjë sinjal dhe Verona s’i ka dërguar lojtarët të testohen”.

“Amiri është duke qëndruar në shtëpi, në një lloj vetizolimi që po aplikohet në tërë Italinë e jo vetëm për futbollistët. E njëjta vlen edhe për Samirin, që është vetizoluar që disa ditë”.

Ndërsa, ndihmëstrajneri i Bernard Challandes, Muharrem Sahiti, thotë se të gjithë ata po ndihen mirë.

“Vazhdimisht kemi qenë në kontakt me ta. Gjendja e të gjithë futbollistëve është e mirë. Ata po ndihen shumë. Ne kontaktojmë me të gjithë lojtarët çdo ditë. Definitivisht asnjë s’është i infektuar”, ka thënë Sahiti në “Favorit”.