75 Mall Live Search
11:17 / E Hënë, 13 Prill 2020 / indeksADMonline

Dokument/ Ministrja Haxhiu kërkon lirimin e përkohshëm të një pjese nga të burgosurit

Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka kërkuar nga Komisioni për Legjislacion të Kuvendit të Kosovës që të bëjë shqyrtimin e mundësisë për lirimin e përkohshëm të një pjese të të burgosurve në kohën kur vendi po përballet me pandeminë e virusit korona.

Përmes një letre të drejtuar në Komisionin për Legjislacion, të cilin e ka siguruar Indeksonline, Haxhiu ka kërkuar që gjatë seancës së Kuvendit e cila mbahet të martën, saktësisht nesër të shqyrtohen mundësitë dhe të gjendet një zgjidhje e përbashkët në të mirë të një pjese të shoqërisë të cilët janë të privuar nga liria gjatë gjendjes emergjente.

Ndër të tjerash thuhet se në ministrinë e Drejtësisë janë pranuar shumë peticione nga të burgosurit lidhur më mundësinë e lirimit të përkohshëm të tyre, por poashtu edhe kërkesa nga organizatat që monitorojnë institucionet korrektueses siç janë KMDLNJ, QKRMT e të tjera.

“Ne kemi analizuar bazën ligjore përkitazi me kërkesat e të burgosurve dhe organizatave dhe më lejoni të ju njoftoj që unë si ministre por as drejtori i SHKK, nuk kemi të drejtë të bëjmë diçka të tillë”, thuhet ndër të tjerash nga Haxhiu.

Ministrja kërkoi nga Komisioni Parlametnar që të gjendet zgjidhje për lirimin e rasteve që kanë dënime më të ulëta.

“Për të ecur tutje, nevojitet bashkëpunim ndërmjet Kuvendit, gjegjësisht Komisionit tuaj. Përmes bashkëpunimit, do të mund ta gjenim në zgjidhje të përbashkët që do të mund ta shtynim bashkërisht e sidomos për rastet që kanë dënime të ulta për vepra më të lehta, të miturit por edhe vajzat dhe gratë”, ka thënë poashtu Haxhiu.

Ndryshe shumë vende të botës kanë liruuar shumë të burgosur si shkak i situatës me COVID-19, madje kësisoj veproi edhe Shqipëria./Indeksonline/