75 Mall Live Search
16:49 / E Mërkurë, 06 Maj 2020 / indeksADMonline

MKRS, KOK dhe federatat sportive, me kërkesë të përbashkët për të lejuar fillimin aktiviteteve sportive në Kosovë

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, ka zhvilluar sot një takim me kryetarin e Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani dhe krerët e federatave sportive për të bashkërenduar veprimet dhe hapat, pas lehtësimit të masave të izolimit për shkak të pandemisë COVID-19.

Ministrja Dumoshi ka kërkuar nga organizatat sportive që konkretisht të raportojnë në Departamentit të Sportit se në cilën fazë gjenden dhe cilat janë nevojat e emergjente që ato kanë në mënyrë që institucionet përgjegjëse për menaxhimin e pandemisë në Kosovë, Ministria e Shëndetësisë dhe institucionet tjera ndërlidhëse të qartësojnë se si do të realizohet vazhdimi i përgatitjeve të sportistëve dhe zhvillimi i garave sportive në federatat përkatëse, thuhet në njoftimin e MKRS.

Ministrja ndër tjera u shpreh se MKRS-ja ka nënshkruar memorandume me secilën organizatë sportive dhe për të dëshmuar përkrahjen dhe bashkëpunimin me KOK-un dhe federatat sportive, ka ftuar drejtuesit e tyre për të qartësuar dhe koordinuar hapat e mëtejmë për të nisur gradualisht jetën sportive në vend deri në normalitet.