75 Mall Live Search
14:24 / E Premte, 15 Maj 2020 / indeksADMonline

​Banorët dhe opozita kundërshtojnë zgjerimin e rrugës, Gjini thotë se projekti do të realizohet

Ndonëse në kohë pandemie, banorët dhe bizneset e rrugës kryesore “Nënë Tereza” në Gjakovë kanë protestuar kundër fillimit të punimeve për zgjerimin e kësaj. Në këtë protestë për të përkrahur qytetarët dolën edhe asamblistë të dy subjekteve opozitare në këtë komunë, Alternativa dhe Lëvizja Vetëvendosje.

Për të përcjell mbarëvajtjen e kësaj proteste kishin dal edhe forcat e rendit, të cilat po përkujdeseshin edhe për respektimin e mbajtjes se distancës në mes protestuesve të cilit kishin vendosur maska, por jo edhe doreza.

Halil Karaxhiu banor i kësaj anë thotë se po e kundërshton zgjerimin e rrugës sepse ky projekt po ia rrezikon shëndetin por edhe biznesin.

“Unë jam edhe banor i lagjes edhe kam biznesin individual punësoj dy punëtorë legalë. Këtu jam lindur dhe rritur dhe këto dy korsi po na sjellin probleme e lërë më edhe një korsi mu shtua….nëse shtohet edhe një korsi sigurisht do ndikoj në shëndetin tim por edhe nga aspekti biznesor sigurisht do ketë edhe më shumë probleme”, thotë ky banor.

Se zgjerimi i rrugës “Nënë Tereza” do t’i shkaktojë telashe zhvillimit të biznesit e thotë edhe një pronar i një biznesi në këtë rrugë të Gjakovës.

Agan Shehu thotë se në këtë kohë kur pandemia i ka dëmtuar shumë bizneset, edhe projektet komunale po i dëmtojnë ata.

“Duan me i zvogëlua trotuaret, duan me i largua të gjitha pemët me e bë me tri korsi për makina me lëvizë, sepse këtu është qendër dhe ka shumë nëna me fëmijë që bëjnë lëvizje, gjithashtu edhe lëvizja makinave do jetë më e shpejt kur është me tri korsi. Ne jemi edhe biznese dy muaj kemi mbetur mbyllë puna e virusit tash edhe 1 muaj e gjysmë së paku dy muaj derisa të kryhen punimet nuk do e kemi biznesin siç e kemi pasur sepse lëvizshmëria e njerëzve pakësohet dhe vazhdojmë sërish me pas probleme”, tha ai.

Ndërsa, në këtë protestë të pranishëm ishin edhe asamblist e anëtarë të partive opozitare të Gjakovës.

Mimoza Shala nga Lëvizja Vetëvendosje thotë se janë kontaktuar nga bizneset që t’i përkrahin, prandaj edhe i janë bashkangjitur protestës.

“Sigurisht që ka qenë kërkesë e qytetarëve që t’i përkrahim dhe sigurisht që ne e kemi mbështetur pasi që ne nuk pajtohemi me këtë që po e bënë kryetari por e keqja e kësaj është se nuk na u prezantua asnjëherë ky projekt as neve si asamblist por as qytetarëve dhe bizneseve që kanë pasur takim me kryetarin. Pra kryetari kohëve të fundit krejt qka bon është beton dhe në jemi më së pari për jetën e këtyre lisave pastaj edhe për lëvizjen e qytetarëve e cila do cenohet shumë këtu. Mos të flasim mandej për ndotjen e ajrit që për momentin është shumë në këtë rrugë e lërë më të shtohet një korsi”, thotë kjo asambliste.

Ali Tafashiku nga subjekti politik “Alternativa” thotë se sot nuk kanë dal të protestojnë për llogo partiake por për interesat e qytetarëve.

“Mos mendoni që zhurmat e këtyre makinerive kanë me na frikësua ne jemi këtu për qytetarët nuk kemi dal për llogot partiake jemi dal me zërin e qytetarëve sot sikurse të mos ishte pandemia kjo rrugë do ishte e mbushur plotë. Jemi kujdesur me i ndal njerëzit nëpër shtëpi mos me rrezikua jetën e ju me asfalt veçse jeni duke na e rrezikuar edhe të ardhmen. Është trup për ju mos prisni nën hije që do të zmbrapsemi. Nuk keni me kalua në këtë qendër dhe kanë me fillua punimet pa projekt”, u shpreh asamblisti i Alternativës.

Për të parë fillimin e punimeve për zgjerimit të kësaj rruge në teren doli edhe kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini i cili protestën e ka quajtur të politizuar.

Sipas tij ky projekt për zgjerimin e rrugës kryesore në Gjakovë do të vazhdojë tutje.

“Partitë opozitare duan me politizua gjithçka që duhet me i detyrua njerëzit me bë peticione, që duhet krejt kohën me provua me i ndal projektet. Që 2 vite jam kryetar asnjëherë nuk kanë ardhur me një propozim por vetëm me pengim të projekteve. Ky projekt është për gjithë qytetin e Gjakovës do jetë një projekt i jashtëzakonshëm dhe jemi konsultuar gjatë. I kam pritur bizneset dhe janë pajtuar me mua por ndërkohë kanë dal asamblist të opozitës u kanë shkuar dyqan për dyqan për të nënshkruar peticionin 217 biznese janë këtu i kanë sjell 100 nënshkrime fallso. Kështu që projekti do vazhdoj dhe do jetë i mirë për qytetarët dhe këto politizime janë jashtëzakonisht problematikë”, tha Gjini. Pas protestës një grup i protestuesve janë takuar me kreun e Gjakovës, Ardian Gjini.