75 Mall Live Search
14:25 / E Premte, 15 Maj 2020 / indeksADMonline

Messi thërret Lautaron te Barça: Është impresionues, të shohim a do vijë

Prej ditësh interesi i Barcelonës për Lautaro Martinez ka zënë faqet e para të mediave sportive, ndërsa mbrëmjen e djeshme klubit “blaugrana” i ka dhënë një dorë edhe kapiteni Lionel Messi, i cili ka folur me superlativa për patriotin e tij.

Të dy luajnë bashkë te kombëtarja argjentinase dhe 6 herë fituesi i Topit të Artë duket se është sponsori kryesor i transferimit të Lautaros në “Camp Nou”, gjithsesi për Barcelonën nuk do të jetë aspak e lehtë të negociojë me Interin, që nuk ul pretendimet.

“E kam thënë edhe më parë, mendoj që Lautaro është një sulmues impresionues. Driblon mirë, shënon, di të mbrojë topin dhe është shumë i fortë. Megjithatë nuk e di nëse Barcelona po negocion për transferimin e tij, ndaj të shohim”, u shpreh argjentinasi.

Më pas Lionel Messi foli edhe për futbollin në kohë pandemie, duke shprehur gjithë mërzinë e tij që do të duhet të luajë në fushë pa praninë e publikut, por mbi të gjitha të qëndrojë i izoluar nga familja.

“Kam luajtur një herë me tifozë dhe është shumë e vështirë të përqendrohesh. Dua të kthehemi të luajmë, por jo të ndahemi nga familja, sepse rreziku i infektimit është gjithsesi, mjafton që të dalësh nga shtëpia. Kemi bërë një hap para për të rinisur stërvitjen dhe shpresoj që situata të normalizohet sa më shpejt e të zbresim në fushë”, u shpreh kapiteni i Barcelonës.