16:21 / E Mërkurë, 25 Prill 2018 / indeksADMonline

A do ta zbulojë telefoni shkakun e vdekjes së aktorit Art Kurti?

Telefoni, që është gjetur në trupin e pajetë të Art Kurtit, është dëshmia e vetme që ka në dorë Prokuroria Themelore e Gjakovës për t’i sqaruar të gjitha rrethanat që çuan në vdekjen e 23-vjeçarit nga Gjakova. Arti, me profesion aktor e që së fundmi punonte si zyrtar komunal në Gjakovë, dyshohet se me një plumb në kokë ia mori jetën vetes

Aktori i njohur, Art Kurti, u gjet i vdekur në orët e para të mëngjesit të së martës në fshatin Goden të Gjakovës. Dyshimet e para janë se Kurti ka bërë vetëvrasje, pasi në afërsi të tij u gjet arma me të cilën dyshohet se e ka goditur veten në kokë.

Trupit të pajetë të aktorit kosovar i është kryer autopsia gjatë ditës së sotme.

Ceremonia e varrimit pritet që të bëhet sot në orët e pasdites. Kështu ka deklaruar për Gazetën Express kryeprokurori në Prokurorinë Themelore në Gjakovë, Ali Selimaj.

“Autopsia në trupin e pajetë të Art Kurtit është kryer sot. Trupi u është dorëzuar familjarëve për ceremoninë e varrimit. Për rezultate do të duhet që të presim për disa ditë”, ka thënë Selimaj.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur në një makinë e cila dyshohet se nuk ishte e Artit, por e një shoku të vëllait të tij, shkruan Gazeta Express. Familja e as shoqëria nuk kishin dëgjuar asnjë lajm nga i ndjeri që nga e hëna. Ai e kishte shkyçur telefonin.

E ky telefon është dëshmia e vetme që organet e hetuesisë kanë në dispozicion për ta zbardhur këtë rast. Celulari i është gjetur në trup, në xhepin e bluzës që e kishte të veshur aktori kosovar. Organet e hetuesisë e kanë dërguar për ekzaminim të mëtejmë telefonin, të cilin e kishte pasur me vete Arti tashmë i ndjerë. Kështu i kanë thënë Expressit burime brenda hetuesisë.

“I është gjetur një telefon në trup. E kanë marrë forenzika për ekzaminim. Shpresojmë që në bazë të tij të mund të jepen detaje të reja që çojnë drejt zbardhjes së rastit të kësaj ngjarjeje tragjike”, kanë thënë burime të Expressit.

Art Kurti u gjet i vdekur në orët e hershme të mëngjesit të së martës në fshatin Goden të Gjakovës. Ai kishte dalë nga shtëpia e tij të hënën pasdite. Trupi i pajetë i Artit do të varroset sot në orët e pasdites.

Organet e hetuesisë kanë deklaruar se po dyshohet që Arti ka kryer vetëvrasje.