17:06 / E Mërkurë, 02 Maj 2018 / indeksADMonline

Prokuroria interviston gjashtë persona për rastin e Art Kurtit

Gjashtë persona deri më sot janë intervistuar si dëshmitarë nga Prokuroria Themelore e Gjakovës, për rastin e Art Kurtit.

Njëri prej tyre është personi që ia huazoi veturën brenda së cilës javën që shkoi u gjet i vrarë me një plumb në kokë ish-aktori i serialit “O Sa Mirë”, në fshatin Goden të Gjakovës

Prokuroria Themelore e Gjakovës po vazhdon hetimet në rastin e Art Kurtit, ish-këshilltarit për rini, i Kryetarit të Gjakovës, Ardian Gjini.

Një javë pas, hetuesit kanë intervistuar gjashtë persona, në cilësinë e dëshmitarëve në lidhje me vrasjen e ish-aktorit të njohur, që sipas dyshimeve të para u cilësua si vetëvrasje.

Intervistimin e këtyre personave e ka konfirmuar për Gazetën Express kryeprokurori i Gjakovës, Ali Selimaj.

“Deri më tani nga ana e hetuesve janë intervistuar gjashtë persona si dëshmitar për rastin e Art Kurtit. Asnjëri prej tyre për momentin nuk është i dyshuar. Por ne vetëm i kemi dëgjuar deklaratat e tyre rreth çështjes së Artit. Ne jemi duke i vazhduar hetimet”, tha ai të mërkurën pasdite.

Në mesin e të intervistuarve është edhe personi që ia huazojë Art Kurtit veturën, brenda së cilës u gjet i vrarë me një plumb në kokë, të martën e javës së shkuar, në vendin e njohur si “Kodra e Zabelit” në fshatin Goden të Gjakovës.

“Pas autopsisë do të vazhdojmë me ekzaminime të tjera balistike, të armës si dhe plumbit që dyshohet se është përdor në rastin konkret”, ka shtuar tutje kryeprokurori gjakovar.

Ndërkohë, është raportuar se raporti i autopsisë i bërë nga Mjekësia Ligjore, nuk ka saktësuar nëse i riu i njohur për rolin e Ylberit në serialin “O Sa Mirë” ka kryer vetëvrasje apo është vrarë.