11:40 / E Premte, 18 Tetor 2019 / indeksADMonline

A do të jetë Challandes trajner i Kosovës deri në pensionim ? Flet Agim Ademi

Vërshëllima e fundit e gjyqtarit portugez Artur Soares Dias të hënën në mbrëmje në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë ka qenë njëra nga vërshëllimat më të këndshme që është dëgjuar ndonjëherë nga tifozët e Kosovës. Ajo vërshëllimë ia solli një fitore të madhe Kosovës, e cila e afron shumë afër kualifikimit në Kampionatin Evropian.

Kosova mahnitëse, Kosova e frikshme, Kosova e pandalshme. Këta ishin tituj që pushtuan mediet ndërkombëtare e të cilat vazhdojnë të mos e kenë shumë të qartë se si një vend aq i vogël, i dalë nga një luftë e tmerrshme, po bën hapa gjigantë për një periudhë kaq të shkurtër. Askush nuk kishte besuar se Kosova në eliminatoret e para për Evropian do të jetë tema më e diskutuar, por ja që Kosova e Challandesit e arriti këtë, madje nuk po lë më vend as për befasi. Nga sukseset e Kosovës tash askush më nuk po befasohet. Të gjithë janë gati të presin fitoren e radhës dhe po e shohin si një gjë normale. Njeriu i parë i futbollit të Kosovës, presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, në një bisedë për gazetën “Zëri” ka rrëfyer gjerë e gjatë për rrugëtimin e Përfaqësueses së Kosovës, për të arriturat, për befasitë, për organizimin e ndeshjeve ndërkombëtare, për pritshmëritë, për ëndrrën e tij, për kualifikimin në Kampionatin Evropian, për të ardhmen e trajnerit Challandes.

E ardhmja e Challandesit

Presidenti i FFK-së ka zbuluar një fakt interesant për tifozët e Kosovës, duke thënë se trajneri Challandes do të jetë këtu gjatë.

“Challandesi do të jetë me neve deri në pension. Dihet që trajnerët mbahen me rezultate, por Challandesi bën punë jo vetëm me pjesën e ekipit A, por është shumë i angazhuar edhe në punë tjera. Ne e kemi një sistem bazik se si t’i ngremë talentet tona të reja. E kemi parë që futbollistët e moshave të njëjta nuk kanë zhvillim të njëjtë. Pra për ata që jetojnë këtu ka ngecje nga moshatarët e tyre që jetojnë në Zvicër e në Gjermani dhe me Challandesin po e bëjmë punën ta fusim të njëjtin mentalitet, që të jetë i barabartë zhvillimi i talentit këtu më atë të Evropës. Ne jemi duke e kërkuar fajtorin pse nuk po zhvillohet talenti këtu si duhet, a është faktori infrastrukturë, puna profesionale ose çështja ekonomike? Këtë jemi duke e hulumtuar me ekspertë dhe bashkë me Challandesin po shohim ta gjejmë zgjidhjen më të mirë”, ka deklaruar Agim Ademi për gazetën “Zëri”.

Challandesi te Kosova ka ardhur në kohën e ish-kryetarit të ndjerë, Fadil Vokrri./Indeksonline/