15:58 / E Premte, 05 Qershor 2020 / indeksADMonline

A do të ketë prurje të reja në kombëtaren e Kosovës para ndeshjes me Maqedoninë?

Ndeshja e Kosovës me Maqedoninë e Veriut pritet të luhet në muajin tetor ose nëntor.

Por, a pritet që para kësaj ndeshje të ketë prurje të reja në kombëtaren kosovare?

Zyrtari i FFK-së, Bajram Shala për Sportin në Indeksonline deklaroi se janë në kontakt me disa futbollistë por nuk e di nëse do të jenë pjesë e ndeshjes me Maqedoninë e Veriut pasi kjo varet nga selektori.

“Fillimisht kjo është kompetence e shtabit teknik, bazuar ne ata futbollistë që janë të gatshëm në çdo aspekt (jo vetëm sportiv por edhe administrativ). Kurse sa i përketë lojtarëve që nuk kanë qenë pjesë e ekipit në të kaluarën, nuk mund ta mohojmë që jemi në kontakte dhe në procedura me disa prej tyre, por se a do te jenë ata pjesë ekipit në përballjen me Maqedoninë apo ndeshjet tjera është diçka që varet nga vendimi i selektorit. E rëndësishme për ne është qe t’i përfundojmë të gjitha procedurat administrative që të mos ketë pengesa në këtë aspekt”, u shprehë ai .

Shala hezitoi të përmend emra për shkak të ruajtjes së mbarëvajtjes së procesit.

“Ashtu siç nuk kemi dhënë emra dhe premtime deri më tani, fatkeqësisht nuk mund te japim as tash. Jo pse nuk duam, por për te ruajtur mbarëvajtjen e një procesit, qoftë të negocimit ose kontaktit me lojtarin dhe përfaqësuesit e tij, qofte te kompletimit te dokumentacionit dhe procedurave administrative. Unë e kuptoj dëshirën e publikut për te kuptuar se ma herët që është e mundshme se kush pritet t’i bashkëngjitet ekipit, por informatat e tilla publike bëjnë pastaj që edhe disa Federata tjera të nisin kontakte e presione të ndryshme mbi lojtarët, prandaj fatkeqësisht nuk mund te japim asnjë emër, por lëvizje ka”, përfundoj Shala. /Indeksonline/