18:35 / E Enjte, 04 Tetor 2018 / indeksADMonline

A do të mbyllen shtëpizat e librave në sheshin e Prishtinës?

Është njëri nga librashitësit në sheshin e kryeqytetit. Ai që nga dje po thuajse të gjithë librat që ka, kishte vendosur t’i shet nën vlerën që posedojnë. Për këtë gjë Florim Beqiri përmes një postimi në Facebook  kishte thënë që është i detyruar. Krejt kjo për shkak se Beqiri e kishte qiranë prej 322 eurosh për shtëpizën ku shet librat, të papaguar dhe nëse nuk do ta paguante ajo do t’i mbyllej.

Beqiri në një bisedë për Kp ka thënë se tash e tetë muaj nuk ka marrë asnjë faturë për qira, për çka e fajësoi Komunën e Prishtinës.

“Na po kemi problem me i bo këto pagesa mujore prej 40 eurove, dhe na u ka tubu shuma për 8 muaj 320 euro, por jo me fajin ton, për 8 muaj nuk na i ka pru faturat dhe na jemi kon të detyrum me e bo pagesën prej 320 euro dhe kena pas afat deri ditën e sotme, dhe  tu e pa tani për shembull qysh e kemi na kontratën dhe mundësitë e mia që nuk e kom me bo qatë shumë, e kom bo postimin edhe kom kërku prej qytetarëve, se unë punoj me libra që 20 vjet dhe e di që qytetarët i duan librat dhe jom kon i sigurt që kom me marr mbështetjen e tyre”, tha Beqiri.

Menjëhërë pas postimit të tij në rrjetin social Facebook, ku Beqiri ka treguar se po i shet librat nën  vlerën reale për shkak të qerasë, ka reaguar i pari i kryeqyutetit.

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, e kishte ftuar atë në takim.

Derisa pas kësaj ftesë të gjithë librashitësit në sheshin “nëna Terezë” u takuan me Ahmetin  dhe u dakorduan për mënyrën që shtëpizat e librave të mos mbyllen.

“Kryetari na ka prit do të thotë mu dhe kolegët e mi, na ka pyt për problemet tona, na ka dëgju me kujdes, dhe na premtoi që do t’i kqyr mundësitë e tij për me na ndihmu neve për pagesën prej 40 eurove”, ka thënë Beqiri.

Se këto shtëpiza nuk do të mbyllen, po thotë edhe kryetari i Komunës Shpend Ahmeti, i cili megjithëse nuk është përgjigjur në pyetjeve, përmes një postimi në Facebook ka shkruar se “askush nuk do të largohet nga aty , dhe se do të gjejnë mënyra të vazhdojnë përkrahjen e librit”.

Ndërsa, për Florim Beqirin, hall i vetëm vazhdon të jetë pagesa e qirasë në vlerë të 40 eurove, e cila sipas tij është e papërballueshme ngase të hyrat nga shitja e librave nuk ia përballojnë të gjitha shpenzimet, përfshirë ato familjare.