12:32 / E Mërkurë, 06 Qershor 2018 / indeksADMonline

A do të shkojë Kamenica në zgjedhje? Kushtetuesja merr vendim

Gjykata Kushtetuese ka hedhur poshtë kërkesën e LDK-së, respektivisht Shaip Surdullit, që komuna e Kamenicës të shkojë në zgjedhje të parakohshme.

Kësisoj, kryetari i kësaj komune, Qëndron Kastrati do  të vazhdojë deri në fund postin e kryetarit, shkruan Indeksonline. Në ankesën e parashtruar nga dega e LDK-së në Kamenicë thuhej se Kastrati është zgjedhur kundërligjshëm  në krye të kësaj komune.

“Gjykata konstatoi se PZAP kishte hedhur poshtë ankesën e parashtruesit për arsye procedurale dhe nuk i ka shqyrtuar pretendimet e parashtruesit të saktësuara në ankesën e tij pranë PZAP-it, pasi që PZAP-i kishte hedhur poshtë ankesën si të paafatshme”, thuhet në vendimin e Kushtetueses.

Vendimi i plotë:

Parashtruesi i kërkesës kishte dorëzuar një kërkesë në Gjykatë, nëpërmjet së cilës kishte kërkuar vlerësimin e kushtetutshmërisë së Vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).

Parashtruesi i kërkesës ishte kandidat i Lidhjes Demokratike të Kosovës (në tekstin e mëtejmë: LDK) për Kryetar të Komunës së Kamenicës në zgjedhjet lokale të Republikës së Kosovës.

Parashtruesi në kërkesën e tij pretendonte se vendimi i kontestuar i PZAP-it i ka shkelur atij “[të drejtën] e garantuar [të] lirisë individuale me Kushtetutë” për arsye, se sipas tij, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) kishte certifikuar kandidaturën Z. Qëndron Kastrati për Kryetar të Komunës së Kamenicës në kundërshtim me nenin 9 të Ligjit nr. 03/L-072 për Zgjedhjet Lokale në Republikën e Kosovës.  Për më tepër, parashtruesi në kërkesën e tij nuk qartësoi saktësisht se cila e drejtë e garantuar me Kushtetutë i është shkelur.

Gjykata konstatoi se PZAP kishte hedhur poshtë ankesën e parashtruesit për arsye procedurale dhe nuk i ka shqyrtuar pretendimet e parashtruesit të saktësuara në ankesën e tij pranë PZAP-it, pasi që PZAP-i kishte hedhur poshtë ankesën si të paafatshme.

 

Sirrjedhojë, Gjykata përfundoi se parashtruesi fare nuk ka saktësuar se cilat të drejta dhe liri themelore të tij të mbrojtura me Kushtetutë janë shkelur, si rrjedhojë e vendimit të lartcekur të PZAP-it ashtu siç përcaktohet me nenin 48 të Ligjit dhe, për më tepër, nuk ka mbështetur pretendimet e tij se si procedura para PZAP-it ka qenë e padrejtë apo arbitrare. Prandaj, Gjykata deklaroi kërkesën e parashtruesit të papranueshme si qartazi e pabazuar në baza kushtetuese.

 

Parashtruesit:

Shaip Surdulli

Lloji i kërkesës:

KI – Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Administrative