14:45 / E Mërkurë, 09 Dhjetor 2020 / OSH

A u dha ndonjë detaj nga drejtori i AKI-së për hapjen e kasafortës në presidencë? Flasin nga komisioni parlamentar

Hapja e kasafortës në Presidencë dhe tentativa për të marrë dokumente konfidenciale nga ajo, nga një zyrtar i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, kishte bërë që  u.d e presidentit  në detyrë, Vjosa Osmani, të denonconte në polici këtë ndërhyrje, raporton IndeksOnline.

Ndërsa sot Komisioni parlamentar për mbikëqyrjen e AKI-së, ka ftuar në një takim drejtorin e këtij institucioni, Kreshnik Gashi.

Kryetari i këtij komisioni Fatmir Xhelili, para gazetarëve ka thënë se  raportimi i sotëm ishte vazhdim i një jave më parë, ku është kërkuar të  kuptohet më shumë për gjendjen e përgjithshme të sigurisë në vend, rreziqet dhe kërcënimet eventuale ndaj Kosovës.

Xhelili, po ashtu bëri të ditur se  është biseduar edhe për hapjen e kasafortës në Presidencë, duke theksuar se çdo institucion ka obligim dhe përgjegjësi të ruajë informacionin.

“Kjo çështje është aktualizuar shumë dhe është aktualizuar pa arsye, ne jemi duke kryer punën tonë, por qasja jonë është  serioze, që ky institucion të zbatojë ligjin të jetë kontribuues, duke përcaktuar mënyrat e qarkullimit të informacionit, në çdo institucion që ka obligim dhe përgjegjësi me ruajt informacionin”, tha Xhelili.

Nga ana tjetër  anëtari i këtij komisioni nga radhët e VV-së, Arbër Rexhaj tha se anëtarët e këtij komisioni nuk janë për të dëmtuar reputacionin e agjencisë dhe as presidencës, ndërsa bëri të ditur se në lidhje me rastin e hapjes së kasafortës presin të marrin më shumë informacione.

“Si komision, anëtarët nuk janë me dëmtu reputacionin, në ditët në vazhdim do të ketë sqarime të mëtejshme, ne jemi për ligjshmërinë në aspektin e përgjithshëm”, tha Rexhaj.