75 Mall Live Search
15:01 / E Martë, 03 Korrik 2018 / indeksADMonline

AAK: Përplasjet për emrin e bajraktarit në bisedimet me Serbinë, joserioze

Për AAK-në, dialogu mbetet sfida më e vështirë me të cilën do të përballet Kosova në muajt në vazhdim.

Por, platforma e bisedimeve e propozuar nga kryeministri Ramush Haradinaj shihet si opsioni që do i japë zgjidhje kësaj çështje.

Deputeti nga radhët e AAK-së, Muharrem Nitaj ka thënë për Indeksonline se përplasja për emrin se kush do i udhëheqë bisedimet me Serbinë, është joserioze.

Sipas tij, kushdo që e kupton rëndësinë e procesit të dialogut do bëhet pjesë e platformës, në të kundërtën, të tjerët do të vazhdojnë me demagogji politike.

“Ne besojmë se çështje me prioritet për tu zgjidhur, është platforma e bisedimeve. Kur të ketë një dakordim rreth kësaj platforme, atëherë akterët edhe mund të bisedojnë se kush do ta marrë bajrakun e këtij procesi. Por të përplasemi sot rreth emrave të përveçëm se kush do t’i udhëheqë bisedimet, më duket joserioze. Ata që e kuptojnë rëndësinë procesit të përmbylljes së një kapitulli të një konflikti njëqind e sa vjeçarë me Serbinë, bëhen pjesë e tij. Ata që nuk e kuptojnë, do të vazhdojnë me demagogji politike”, ka thënë Nitaj.

Ai finalizimin e dialogut e ka quajtur obligim që i tejkalon interesat dhe kalkulimet politike të partive politike në Kosovë.

“Kjo duket nuk është zgjedhje por obligim yni. Prandaj edhe përgjegjësitë për këtë temë, domosdoshmërisht i kalojnë interesat dhe kalkulimet politike të krejt partive që sot i ka Kosova. Faza finale e bisedimeve me Serbinë kërkon unitet dhe koncenzus politik. Ky është qëndrimi ynë dhe për këte qëndrim do të angazhohemi fort”, është shprehur ai në një përgjigje për Indeksonline.

Ndërsa, sipas Nitajt, e rëndësishme është që çdo marrëveshje që arrihet, nuk do të mund të kalojë pa votën e Kuvendit./Indeksonline/