22:49 / E Mërkurë, 20 Dhjetor 2017 / indeksADMonline

AAK tregon për veprimet e saja, pas vendimit të PZAP-së për Istogun

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) sot ka hedhur poshtë ankesën e degës së AAK-së në Istog për rinumërimin e votave për Rivotim të Zgjedhjeve Lokale në këtë komunë.

Megjithatë, ky vendim i PZAP-së nuk do pranohet nga AAK.

Sekretari Ekzekutiv i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Valon Tolaj, në një prononcim për Indekosnline ka thënë se afati i ankesave ende nuk ka përfunduar, kështu që, AAK do vazhdojë me apelimet ligjore deri në instancat më të larta.

“Afati i ankesave nuk ka përfunduar ende dhe AAK do të vazhdojë me apelimet ligjore deri në instancat më të larta. AAK është e vendosur që vullnetin e qytetarëve të Istogut ta mbroj deri në fund. Askush nuk e ka me “tapi” pushtetin dhe ne konsiderojmë që në Kosovë ka përfunduar koha kur dikush mban pushtet përmes manipulimeve, mashtrimeve dhe blerjes së votave kundërligjshëm”, ka thënë Tolaj.

Ndërsa, ai ka komentuar edhe publikimet e disave video-incizimeve përmes të cilave pretendohet se LDK në Istog ka blerë vota.

Sipas Tolajt, ky është vetëm fillimi, duke paralajmëruar se në ditët në vijim publikut do t’i bëhen të njohura shumë shkelje tjera ligjore.

“Qarkullimi në publik i fakteve vetëm sa ka filluar. Në ditët në vijim publikut do t’i bëhen të njohura shumë shkelje tjera ligjore të cilat kanë ndikuar jashtëligjshëm në rezultatin zgjedhor”, ka shtuar ai.

Ai ka shtuar se për AAK fitues i zgjedhjeve në Istog mbetet Gani Dreshaj dhe se nuk do të lejojnë askënd ta ndryshojnë vullnetin e qytetareve  për ndryshim./Indeksonline/