22:21 / E Martë, 30 Mars 2021 / OSH

Abdixhiku i përgjigjet Rugovës: S’merrem me atë gjuhë, nuk i bëjnë hajër askujt

Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku i është përgjigjur kritikave të ish-deputetit dhe anëtarit të LDK-së, Naser Rugova, i cili ka sugjeruar Abdixhikun që para se të mendojë për hallin e Vjosa Osmanit që patjetër të bëhet Presidente, të mendojë për të mirën e shtëpisë së vet.

Për këtë deklaratë, Abdixhiku e fton Rugovën që mos të merret me njerëzit e LDK-së, por edhe të kontribuojë në LDK.

“Naser Rugova është anëtar i Kuvendit, e ftoj të kontribuojë  në LDK-së, të merret më pak me njerëzit tanë të LDK-së, me njerëz që i ka zgjedh vetë ai Kuvend, ku është pjesë, të kanalizojë energjitë e veta në ringrityjen e LDK-së, e më pak në këto sulme individuale sepse s’i bëjnë hajr askujt”, thotë Abdixhiku.

Madje ai thotë se nuk merret me një gjuhë të tillë.

“Unë s’merrem me gjuhë të tillë, i ftoj të gjithë të rreshtohen prapara kësaj ideje, që po mundohem ta ndërtojë”, shtoi Abdixhiku 

E Naser Rugova, ish-deputet dhe anëtar i LDK-së, ka reaguar pas deklratës së kreut të LDK-së, Lumir Abdixhiku se është qëndrim i kryesisë së kësaj partie që të votohet Vjosa Osmani për presidente të vendit.

Përmes një postimi në Facebook, i ka sugjeruar Abdixhikut që para se të mendoj për hallin e Vjosës që patjetër të bëhet Presidente, të mendojë për të mirën e shtëpisë së vet

“Në politikë ka dy lloj udhëheqësish: Egoist e narcisoid që shpërndan diktate në kërkim të nënshtrimit dhe vizionar e frymëzues që udhëheq nëpërmjet bashkëpunimit”, ka shkruar Rugova.

“Para se të mendoj për hallin e Vjosës që patjetër të bëhet Presidente, Lumiri ynë duhet të mendojë për të mirën e shtëpisë së vet”.

“Mos i shkel deputetët! Bashkëpunim Lumir, nuk ka rrugë tjetër!”, ka shkruar ai.

Rugova duket se ka ndërruar qëndrim lidhur me votimin e Vjosa Osmanit për presidente.

Një ditë pas përfundimit të zgjedhjeve të 14 shkurtit Rugova kishte thënë se garda e vjetër duhet të largohet nga LDK-ja dhe kjo partia duhet ta bëj kuorumin për zgjedhjen e Osmanit presidente, pavarësisht që sipas tij, në demagogjinë e saj nuk ka pikë sinqeritet.