18:17 / E Shtunë, 09 Dhjetor 2023 / MSH

Abdixhiku për draftin e Asociacionit: Autonomi që mbetet jashtë Kushtetueses

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të partisë ka folur edhe për dialogun Kosovë-Serbi, si dhe për draft-statutin e Asociacionit, për të cilin tha se, tashmë, është pranuar.

“Tashmë po bëhen saktësisht një javë që kur LDK ka pranuar zyrtarisht nga ndërmjetësuesit draftin e statutit të Asociacionit. Pra saktësisht dy muaj pas prezantimit në Kosovë e mbi 40 ditë pasi i njëjti është pranuar nga Qeveria e Kosovës, ky draft na është dorëzuar si dokument në tërësi”, Abdixhiuk kritikoi ndërmjetësuesit ndërkombëtarë në qasjen ndaj partive opozitare, në veçanti ndaj LDK-së, si parti shtet-formuese e bartëse e proceseve shtetërore, që kjo parti të jetë vetëm observuese e memorie fotografike e një dokumenti 45 nenësh, që sipas tij kjo nuk është mënyrë komunikimi.

Sipas tij, dorëzimi i dokumentit është i vonshëm dhe që LDK nuk ka qenë fare e përfshirë në këtë proces.

Abdixhiku tha se mbyllja hermetike e qeverisë së Kosovës ka qenë shqetësuese për LDK-në.

Për dokumentin në fjalë do të kemi qëndrim politik. Kryesia e re LDK-së që do të dalë nga ky këshill do të marrë këtë vendim. Por si Kryetar i formacionit të parë dhe të vetëm pavarësisht, më lejoni që të shtroj para jush dhe para opinionit publik disa nga vështrimet e para mbi këtë dokument. Për ta thënë thjeshtë, në leximin tim politik, ai na vjen si autonomi me rrugëtim potencial për federalizim. Nis në preambulë me rezolutën 1244 si paralele e Deklaratës së Shpalljes së Pavarësisë e përfundon me Arbitrazh si paralele e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.”, ka deklaruar Abdixhiku.

Tutje, kreu i LDK-së ka thënë se mbetet e pakuptimtë se si Qeveria e Kosovës e ka pranuar një dokument të tillë që paralelizon deklaratën e Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës me rezolutën 1244 dhe që Asociacionin e pranojnë si trup autonomie që mbetet jashtë Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, por në një sistem arbitrazhi.