14:39 / E Shtunë, 24 Nëntor 2018 / indeksADMonline

Abelard Tahiri: Një epokë e re do të fillojë pas aprovimit të djeshëm të një ligji në Kuvend

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri përmes një postimi në “Facebook” ka shkruar se dje ishte një ditë e madhe për drejtësinë në Republikën e Kosovës.

Ai ka treguar se pas një pune për më shumë se një vit në ridefinimin e vlerave, strukturave dhe angazhimit për sundimin e ligjit, Kuvendi i Kosovës miratoi Kodin e ri Penal, Ligjin për Gjykatat, Ligjin për Këshillin Gjyqësor të Kosovës, Ligjin për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, Ligjin për Mbrojtjen e Sinjalizuesve, Ligjin për kompetencat e zgjeruara për konfiskimin e pasurisë së paligjshme dhe Ligjin për procedurën jo kontestimore.

“Jam tejet mirënjohës ndaj deputetëve të Kuvendit të Kosovës që dhanë mbështetjen për reformimin e sistemit të drejtësisë. Një epokë e re do të fillojë me zbatimin e tyre, duke e bërë Kosovën një kampion në sundimin e ligjit dhe qasjen në drejtësi, një vend të sigurt për qytetarët e saj dhe adresë të gabuar për krimin e organizuar dhe korrupsionin”, ka shkruar ai. /Indeksonline/