21:46 / E Mërkurë, 20 Mars 2019 / indeksADMonline

Absurdi i shekullit: Krijuesi ka me vdekë në burg …

Shkruan: Halil Matoshi

Krijuesi ka me vdekë në burg – krijesa e tij jeton dhe gëzon njohje ndërkombëtare!?

Qysh mundet me u dënu dikush për gjenocid, si rasti i psikiatrit monstrum Radovan Karadjić, ndërsa nuk është pranuar nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë se në Srebrenica,  âsht bâ gjenocid mbi popullsinë myslimane nga RFJ (Serbia) dhe serbët lokalë!?

Gjykata o KB-së në vitin 2007 e liroi Serbinë nga përgjegjësia e drejtpërdrejtë për gjenocid, kurse në mars 2017 e refuzoi apelimin ndaj këtij vendimi.

Më 2016 Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish Jugosllavinë e pati dënuar psikiatrin monstruoz duke e gjetur fajtor për gjenocidin, gjykatësi O-Gon Kwon tha se pasi forcat serbe sulmuan dhe morën enklavën e mbrojtur nga OKB në vitin 1995, u zbatua në mënyrë të organizuar një një plan për shkatërrimin e popullatës myslimane.

Kurse më 20 mars 2019, shkalla e dytë e Tribunalit të Hagës e dënoi me burgim të përjetshëm.

Dënimi meritor i liderit të serbëve të Bosnjës dhe Hercegovinës Radovan Karadjić me burg të përjetshëm, është satisfaksion moral për viktimat, por jo edhe për të gjallët dhe drejtësinë ndërkombëtare.

Përderisa shteti aktual serb po bashkëjeton me krimin, kurse kriminelët e luftës në Kosovë shëtisin të lirë e të patrazuar nga askush.

Dhe më degraduesja për rendin botëror, padyshim është fakti se zyrtarët e Beogradit edhe sot madhërojnë Mil9šević-in (Vulin) dhe mohojnë krimin kundër njerëzimit në Reçak (Djurić)!?

Absurd të dënohet përjetësisht Karadjić, ideatori i spastrimit etnik në BeH, ndërsa krijesa e tij kriminale, e ngritur mbi gjak e zjarr, Republika Srpska, të gëzojë njohjen ndërkombëtare si entitet juridik-politik dhe mbrojtje nga pushteti aktual i Beogradit.