18:13 / E Shtunë, 07 Janar 2023 / MSH

Aca (Vuçiqi) – dirigjenti i propagandës antishqiptare!

Deklarata e Zorica Stojanoviqit  për Telegrafin serb se biri i saj Stefani 11 vjeç është goditur nga plumbi “rikoshet”, tregon se nuk kemi të bëjmë me vrasje në tentativë. Aca (Vuçiqi) në Instagramin e tij shpreh një ‘reservatio mentalis”. Nuk e kualifikon veprimin. E zë në gojë vetëm fjalën “lëndim”.

Nga: Agim Muhaxheri

Krismat në Gotovushë të Shtërpcës, ku u lënduan dy të rinj serbë, njëri 11 tjetri 21 vjeç, jehuan në Beograd. I pari i Serbisë Aca (Vuçiqi) dhe papagajtë e tij aktivizuan propagandën e tyre antishqiptare.

I dyshuari Azem Kurtaj, 33, nga Gabrrica e Kaçanikut – vetëdorëzohet në Prevallë. Ai pak minuta pas krismave, përmes telefonit i ka deklaruar gazetës elektronike Indeksonline: Unë jam i pafajshëm… Po i dorëzohem policisë…

Kurtaj, pjesëtari i FSK-së, mbahet brenda grilave.

Në shenjë revolte serbët e Shtërpcës bllokojnë rrugën me vetura, drunj dhe gjësende tjera duke ndezur zjarrin…

Pas disa orësh zhbllokohet rruga.

E ëma e 11 -vjeçarit të plagosur, Zorica Stojanoviq i ka deklaruar Telegrafit serb se i dyshuari nga makina e tij në lëvizje ka shtënë në asfalt dhe nga dëbimi i plumbit është qëlluar i biri i saj Stefani…

Zorica tregoi një fakt me rëndësi në ndriçimin e së vërtetës me të cilin do të merren hetuesit, prokurorët dhe gjykatësit.

Kur dikush shtie në ndonjë objekt dhe ‘plumbi fluturon’ e godet ndonjë person, kësaj në drejtësi i thonë “rikoshet” (frëngjisht – ricocher).

Në rastin konkret nuk bëhet fjalë për vrasjen në tentativë, ngase dihet cilat janë atributet e kësaj vepre penale.

Nuk do mend – dilemat do t’i heq ekspertiza balistike.

Pas asaj çfarë ndodhi në Gotovushë të Shtërpcës, reagoi si vetëtima i pari i Serbisë, Aca (Vuçiqi). Në Instagramin e tij ai shpreh një “reservatio mentalis”, nuk e kualifikon veprimin. E zë në gojë togfjalëshin: “Shqiptari nga Kosova e Metohia lëndoi vogëlushin serb…”.

Kush është Azem Kurtaj ?

Azemi është i biri i dëshmorit Danush Kurtaj, i vrarë në masakrën e burgut të Dubravës, më 1999;

 Nipi i luftëtarit të UÇK-së, Xheladin Kurtaj, i cili bashkë me Agim Bajramin e Besnik Beguncën bien në Gabrricë, më 30 gusht 1998.

Komentuesi Milazimi (Krasniqi), baba i Memli reperit, i del trenit përpara, bën politikë. Paragjykon, shpreh  dilemën se i dyshuari Kurtaj ‘mund të ketë lidhje me Albin Kurtin…”. Shihe ti, me Albin Kurtin !

Pikësynim i tij – ta baltos Albin Kurtin dhe t’i bëj një argat pa pare propagandës së Beogradit.