08:56 / E Premte, 05 Mars 2021 / OSH

”Adem Jashari kishte mundësi të shpëtonte”, veterani i UÇK-së kujton sulmin e 5 marsit 1998

Sot kujtohet 23-vjetori i sakrificës së familjes së Adem Jasharit.

Shkrimtari Bedri Islami, veteran i UÇK-së u shpreh në Euronews Albania se familja e Jasharjve është një gur-themel i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët u rrethuan 3 herë nga forcat serbe.

Islami kujton se Adem Jashari në natën e 4 marsit, së bashku me dajën e tij, Osman Gecin dhe me vëllanë Hamzën vendosën që të kthen në shtëpi.

Sipas tij, banesa e Jasharjve është rrethuar mëngjesin e 5 marsit, ku në rrethimin e tyre kanë qenë edhe forcat e Arkanit, forca speciale, të cilat bënë gjenocid mbi shqiptarët.

“Nga familja e Jasharjve janë vrarë 20 vetë, në total janë vrarë 54 vetë”, tha më tej shkrimtari.

Sipas Islami ditën e parë të rrethimit Ademi kishte mundësi të shpëtonte.

“Mund të largohej, për vetë faktin se nipi i tij Bashkimi çau rrethimin së bashku me një kushëri, por ishte i vendosur për të bërë këtë akt”, tregoi ai.

Dy vëllezërit Jashari ai i përshkroi si persona me një formim të jashtëzakonshëm.

“Ademi dhe Hamza kanë qenë me një formim të jashtëzakonshëm. Në letrën e fundit në tij vihen re dy gjëra shumë interesante, një gjuhë letrarë e mrekullueshme, ku mund të vësh re vetëm 4 -5 gabime në letrën prej disa faqesh. E dyta, modestia për të mos dëshmuar veten se kemi qenë ne”, tha ai.

Islami tregon se para se të ndodhte masakra e Prekazit, Adem Jashari letrën e tij të fundit e dërgoi në strukturat e UÇK-së në nëntor të vitit 1997, për një betejë që kishte ndodhur.