23:23 / E Hënë, 04 Korrik 2022 / Gj. Sh

Ademi: Stadiumi “Fadil Vokrri” duhet të menaxhohet nga FFK, është objekt i interesit nacional

Stadiumi “Fadil Vokrri” duhet të shpallet objekt i interesit nacional. Kështu mendon i pari i futbollit kosovar, Agim Ademi.

Ai thotë se ky stadium është rinovuar dhe janë investuar miliona në mënyrë që të jetë në shërbim të ekipeve kombëtare, por edhe klubeve për ndeshjet ndërkombëtare.

E duke qenë se është stadiumi i vetëm në vend që i plotëson kriteret e UEFA-s, kreu i FFK-së po kërkon që ky stadium të jetë objekt i interesit nacional.

“Stadiumi Fadil Vokrri duhet te shpallet objekt i interesit nacional sepse edhe për këtë punë është renovuar. Ky objekt i tejkalon kufinjtë lokal (komunal) dhe duhet të menaxhohet nga FFK dhe ekipet e saj të cilat janë specializuar për këtë punë, në mënyrë që të mos e humbim kategorinë e katërt të UEFA-s. Gjithsesi edhe aktualisht ky objekt ka nevojë për renovim të ambienteve të brendshme, teksa ajo që ka më së shumti nevojë është shtimi i kapacitetit. E ka kohë që ne e kemi projektin dhe vijën buxhetore të gatshme, vetëm na nevojitet leja për fillimin e realizimit të këtij projekti”, ka theksuar Ademi.

Ai ka thënë se është idhtar i nënshkrimit të memorandumeve me MKRS-në dhe Komunat dhe në të gjitha qytetet ku tash e tutje do të jepen hapësirat për ndërtimin e stadiumeve, ato t’u jepen klubeve në shfrytëzim në kohëzgjatje prej 99 vjetësh.

Ditë më parë u raportua se Komuna e Prishtinës ka formuar Bordin e ri të Kompanisë Marketingu, e cila do të marrë përsipër edhe menaxhimin e stadiumit “Fadil Vokrri”.

E një lajm i tillë duket se ka shqetësuar drejtuesit e FFK-së, duke pasur parasysh faktin se pas renovimit të gjitha shpenzimet rreth menaxhimit dhe ekipet e specializuara për mirëmbajtjen e fushës kanë qenë nën ombrellën e FFK-së.

Në rast se stadiumi merret nën menaxhimin e kësaj kompanie, atëherë me të drejtë rriten brengat për mospërkujdesjen e duhur të fushës dhe shtohet rreziku që Kombëtarja e Kosovës të jetë e detyruae t’i luajë sërish ndeshjet në Shkodër. /Futbolli.info/