09:24 / E Shtunë, 29 Shtator 2018 / indeksADMonline

Ademi takohet me Alasdair Bell, njeriu që mbrojti pranimin e FFK-së në UEFA

Nëse kthehemi në një retrospektivë të vitit 2016, përkatësisht të 3 majit kur u mbajt kongresi i 40-të i UEFA në Budapest dhe ku Kosova u pranua në shtëpinë evropiane të futbollit, pa asnjë dilemë emri i Alasdair Bell zë vendin e njërit ndër më meritorët në pranimin e FFK-së.

Ata që ishin dëshmitarë të atij kongresi nuk ka si të mos u kujtohet fjalimi i z. Bell me një profesionalizëm të lartë dhe elokuencë të shkëlqyeshme, tek sa po mbronte dhe arsyetonte anën ligjore për anashkalimin e nenit  10 “famëkeq” të UEFA-s, që kundërshtonte pranimin e FFK-së në UEFA.

Por z. Alasdair Bell, para të pranishmëve po jepte arsyet pse Kosova duhet të pranohet në UEFA duke heshtur shumë nga kundërshtarët e pranimit dhe kjo bëri që një shumicë e mjaftueshme të votonte për pranimin e FFK-së në UEFA.

Prandaj ky njeri meriton një falënderim të veçantë nga ana e FFK-së dhe këtë ia bëri sot presidenti i FFK-së z. Agim Ademi bashkë me sekretarin e përgjithshëm Eroll Salihu, një ditë pasi u takuan me presidentin e FIFA-s z. Gianni Infantino.

Në një takim të përzemërt presidenti Ademi e falënderoi shumë z. Bell për atë që bëri në kongresin e 3 majit duke thënë se ai, FFK-ja dhe gjithë Kosova ka një respekt dhe falënderim të veçantë për të dhe angazhimin e tij. Në fund presidenti Ademi e ftoi z. Bell që ta vizitojë Kosovën dhe do të jetë mysafir i veçantë i tij.

Nga ana e tij z. Bell tha se me vjen mirë që presidenti Ademi dhe njerëzit në Kosovë nuk e kanë harruar kontributin e tij sikur që me vjen mirë që sot dëgjova fjalë të mira dhe që futbolli i Kosovës tashmë është pjesë e Evropës dhe botës po ecë me hapa gjigant. Shpresoj  se do të gjejë kohë dhe me kënaqësi do ta vizitojë Kosovën në një kohë të përshtatshme.