20:18 / E Enjte, 21 Qershor 2018 / indeksADMonline

Agim Çeku rrëfen kohën e demilitarizimit të UÇK-së

Sot janë bërë 19 vjet nga nënshkrimi i marrëveshjes për demilitarizimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Me këtë marrëveshje ishte paraparë dorëzimi i armëve, mbajtja e uniformave, kalimi i një pjese të pjesëtarëve të UÇK-së në polici dhe administratë publike.

Një nga nënshkruesit e kësaj marrëveshje dhe negociator ishte zëvendësministri i Forcave të Sigurisë, Agim Çeku, atë kohë në pozitën e Shefit të Shtabit të UÇK-së.
Çeku për Indeksonline ka kujtuar negociatat e asaj kohe dhe nënshkrimin e marrëveshjes në Kumanovë.

“Edhe 19 vjet pasi kanë kaluar, kujtimet ende i kam të freskëta. Fillimisht, negociatat filluan me 10 qershor dhe menjëherë të nesërmen u nënshkrua marrëveshja e Kumanovës. Atëherë na nisëm negociatat për UÇK-në duke u thirrur në rezolutën 12/44/ të sapo aprovuar nga Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara ku kërkohej shpërbërja e UÇK-së dhe kërkohej që e vetmja forcë e armatosur në Kosovë të jetë prezenca e ndërkombëtarëve, NATO e KFOR-i. Ne i filluam këto negociata dhe kërkesat tona ishin që të mos shpërbehej, por të demilitarizohemi, në këtë mënyrë u përgjigjën kërkesave të rezolutës, pra të transformohemi. Negociuam plotë dhjetë ditë dhe kur u nënshkrua marrëveshja konsensusi ishte qe ne nuk do të shpërbehemi, por do të demilitarizohemi dhe do të transformoheshim. Dhe u vendos që demilitarizimi të bëhej për 90 ditë dhe në faza të ndryshëm dhe ne do tu përgjigjeshim fazave ashtu që të përparojë procesi i transformimit”, ka rrëfyer ai.

Çeku tutje ka treguar se ka qenë një betejë e ashpër diplomatike. Ai ka treguar se si qëllimi i tyre ishte të mos shpërbeheshin, por të mbijetonin si struktura që më pastaj të transformoheshim në ushtri.

“Ka qenë një betejë shumë e ashpër dhe diplomatike. Kishim të bëjmë me miqtë tanë, të cilët u ishim shumë mirënjohës për ndihmën e tyre për çlirimin e Kosovës, ishim të kujdesshëm që ta ruajmë këtë partneritet, ta forcojmë, por edhe të mbijetojmë si strukturë në rrugëtimin tonë drejt një ushtrie moderne të standardëve të NATO-s. Është bërë shumë pasi e nënshkruam marrëveshjen, i formuam trupat mbrojtëse të Kosovës, me mision çfarë ka qenë i mundur atë kohë, por me strukturë ushtarake”, ka shtuar tutje ai.

Negociatori i kësaj marrëveshje thotë se tani FSK është e gatshme të shndërrohet në ushtri.

Ai thotë se gjatë këtyre viteve kanë prodhuar kuadro të standardëve ndërkombëtare dhe se FSK ndihet dhe vepron si ushtri, krejt kjo falë suksesit të demilitarizimit para 19 viteve.

“Në atë kohë kemi mbajtur gjallë idenë e krijimit të ushtrisë moderne dhe kemi krijuar kuadro e infrastrukturë, kemi pasur trajnime të ndryshme, kemi pajisje të ndryshme të cilat edhe sot i kemi. Krejt këto kanë kaluar në FSK. Dhe, FSK ka vite që është plotësisht e gatshme që të shndërrohet në ushtri të mirëfilltë, ushtri me standard të NATO-s, me intensitet, kuptohet të fuqishëm. Dhe besoj që krejt këto vite kemi punuar, kemi prodhuar kuadro, kemi prodhuar ushtarak të procedurave standarde siç i themi ne dhe ne praktikisht dhe defakto jemi ushtri. Sot, FSK duket si ushtri, ndihet si ushtri, veprojnë si ushtri, njihet si ushtri dhe do të jetë, e krejt kjo falë të atij suksesi të procesit të demilitarizimit dhe transformimit”, ka rrëfyer ndër të tjerash zëvendësministri Çeku për Indeksonline.

Në këtë marrëveshje ishte paraparë formimi i Ushtrisë së Kosovës në vijat e Gardës Kombëtare të SHBA-ve, duke marrë parasysh Marrëveshjen në Rambuje.
E gjithë kjo fazë ka pas një periudhë prej 90-të ditëve pas së cilës është bërë demilitarizimi i plotë i UÇK-së dhe në shtator 1999, është nënshkruar marrëveshja për formimin e TMK-së, jo si forcë ushtarake, siç ishte paraparë në këtë marrëveshje por si forcë emergjente për reagimin në rast të katastrofave natyrore./Indeksonline/

Temat: