16:43 / E Mërkurë, 23 Maj 2018 / indeksADMonline

Agim Veliu ka një lajm të mirë për llapjanët (Foto)

Kryetari i Podujevës, Agim Veliu ka njoftuar se nga sot kjo komunë do të bëhet me spital funksional.

Në një postim në Facebook, Veliu ka shkruar se kushtet më parë në këtë spital ishin jo të mira, transmeton Indeksonline.

Ai ka theksuar se me funksionalizimin edhe të reparteve të tjera, pacientët nuk do të kenë nevojë të shkojnë në SHSKUK për të marrë shërbime shëndetësore spitalore, por ato do t’i marrin në Spitalin e Podujevës.

Ky është postimi i Veliut:

Kam kënaqësinë ta ndaj me ju lajmin e shumëpritur, se sot ka filluar funksionimi i Spitalit të Podujevës.

Kushtet në të cilat ka funksionuar deri më tani reparti i Maternitetit në QKMF, kanë qenë jo të mira, prandaj fillimisht në objektin e ri kemi bartur këtë repart.

Në të ardhmen do t’i aktivizojmë edhe repartet e tjera bashkë me kompletimin e aparaturës së nevojshme, për të cilën edhe është ndarë buxhet nga Ministria e Shëndetësisë, që pritet të realizohet gjatë këtij viti.

Fillimi i punës së Spitalit të ri është një sukses dhe e arritur për shëndetësinë në Llap, prandaj jam i lumtur që përkundër vështirësive dhe propagandës së zhvilluar kemi arritur ta bëjmë Podujevën me spital, i cili do të ofrojë shërbime shëndetësore të nivelit bashkëkohor për pacientët.

Me funksionalizimin edhe të reparteve të tjera pacientët tanë nuk do të kenë nevojë të shkojnë në SHSKUK për të marrë shërbime shëndetësore spitalore, por ato do t’i marrin në Spitalin e Podujevës.

Ky objekt me rëndësi të veçantë për qytetarët tanë është ndërtuar me mjete nga buxheti i Komunës së Podujevës. /Indeksonline/