21:05 / E Hënë, 26 Shkurt 2018 / indeksADMonline

Ahmetaj: Demarkacioni do të mbyllet, qytetarët mund të lëvizin pa viza vitin e ardhshëm

Ish-ministrja e Integrimit Evropian, Mimoza Ahmetaj, nga PDK  ka folur për çështjen e ratifikimit të demarkacionit me Malin e Zi si dhe për procesin e integrimit evropian të Kosovës.

Ahmetaj, e cila ka qenë edhe ambasadore e Kosovës në Bruksel, ka përshëndetur arritjen e konsensusit në mes partive politike për kalimin e demarkacionit, duke shprehur bindjen se kjo çështje do të përfundojë.

“Jam optimiste se një gjë e tillë do të kalohet dhe neve do të na hapet rruga drejt liberalizimit të vizave. Çështja e liberalizmit i takon të gjithë qytetarëve të vendit, edhe qytetarët serb nuk mund të lëvizin lirshëm nëse janë qytetarë të Kosovës, pasi që kjo është bërë me marrëveshje në Bruksel. Jam e sigurt që edhe ata pra Lista Serbe do të jenë pro që ta shtyjmë më tej këtë çështje”, ka thënë Ahmetaj, në emisionin “Përballje”.

Ajo ka theksuar se ky është momenti i fundit që Kosova duhet ta zë sa i përket liberalizimit të vizave.

“Nëse ne e kalojmë demarkacionin, tani është momenti jonë i fundit që ne të arrijmë që deri në fund të vitit ta përmbyllim tërë procesin që qytetarët tanë nga viti i ardhshëm të mund të lëvizin lirshëm”, u shpreh Ahmetaj.

Ajo shtoi se të gjithë deputetët kanë të drejtë të vendosin vetë sa i përket votimit të demarkacionit dhe se një gjë e tillë do të përmbyllet përfundimisht dhe qytetarët nuk do të mbahen të izoluar.

Ahmetaj ka sqaruar se pas përfundimit të demarkacionit janë ministrat e Punëve të Brendshme të shteteve anëtare të BE-së ata që do ta japin konfirmimin për lëvizjen e lirë.

“E rëndësishme për ne është që ti kemi pro të gjitha shtetet anëtare. Procesi i votimit quhet votim me shumicë të kualifikuar dhe llogaritet votë pro kur është nga 55% e vende anëtare që kanë votuar pro dhe që i mbulojnë 65% të popullatës së BE-së, që nënkupton që shtetet e mëdha është e rëndësishme që ta votojnë.

Komisioni Evropian, Parlamenti Evropian dhe Këshilli Evropian mblidhen në fund dhe bien dakord se Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret dhe si e tillë bëhen ndryshime brenda rregullores së Schengenit dhe Kosova bëhet pjesë e listës së bardhë Schengen”, ka sqaruar Ahmetaj.