12:40 / E Diele, 30 Shtator 2018 / indeksADMonline

Ahmeti: Maqedonia të realizojë qëllimet e saja historike

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, e ka shfrytëzuar të drejtën e votimit për referendumin që po mbahet sot në Maqedoni në lidhje me marrëveshjen e arritur me Greqinë për çështjen e emrit zyrtar të këtij shteti.

Ahmeti e ka quajtur këtë moment historik për Maqedoninë, dhe tha se beson që qytetarët do t’i përgjigjen këtij momenti me qetësinë më të madhe.

Kreu i BDI-së, para mediave deklaroi se pret nga qytetarë që përmes këtij referendumi të vendosin për të ardhmen e tyre.

“Ky është një moment historik për vendin tonë dhe besoj që këtij moment kaq të rëndësishëm me qetësinë më të madhe qytetarët edhe t’i përgjigjen. Sigurisht që e drejta e tyre është të shprehin bindjet e tyre, si për [votën] ‘për’  ashtu edhe për ‘kundër’. Deri më tani nga të gjitha informacionet që I posedojmë procesi është duke shkuar në rregull dhe unë pres që qytetarët të vendosin në këtë referendum për të ardhmen e tyre”, tha ai.

Ahmeti tha se të gjithë janë angazhuar që pas 1 tetorit Maqedonia të jetë pranë vendeve të Bashkimit Evropian.

“Ne të gjithë jemi angazhuar që nga 1 tetori Maqedonia të jetë pranë vendeve ku aspirojmë ne, pranë Bashkimit Evropian. Sigurisht që është dhënë mjaft mund, jo vetëm një anshëm nga partitë politike por të gjithë një zëri kanë qenë tash e 15 vitet e fundit në veçanti që vendi ynë të jetë anëtar I denjë në Bashkimin Evropian, por edhe njëherit pjesë e Aleancës së NATO-s. Kështu që me të drejtë ne e presim që Maqedonie të realizojë qëllimet e veta historike, për të instaluar një paqe të qëndrueshme siguri për të gjithë qytetarët  Republikës së Maqedonisë, investive, zhvillim ekonomik, të punojmë pa ndalur drejt sundimit të ligjit dhe institucione sa më funksional, qofshin të administratës publike qofshin të administratës shtetërore, dhe stabilitet, paqe, jo vetëm për ne por për tërë rajonin e Evropës Juglindore, si një gadishull që vërtetë meriton aty ku e ka vendin , pranë Bashkimit Evropian, pranë NATO-s”, tha ai.

Ali Ahmeti votoi në shkollën “Rexhë Rushit Zajazi” në fshatin Zajaz, në pikën 08:16.

Në këtë qendër të drejtë vote kanë 696 persona. Deri në mesditë, në këtë qendër të drejtën e votës e kanë shfrytëzuar afro 10 për qind.