11:56 / E Hënë, 05 Nëntor 2018 / indeksADMonline

Ahmeti: Nuk mund të flasim për drejtësi në Kosovë përderisa nuk ka drejtësi për Astrit Deharin

I pari i Komunës së Prishtinës, njëherësh kryetari i Partisë Socialdemokrate ka përkujtuar Astrit Deharin në 2 vjetorin e vdekjes së tij.

Përmes një statusi në Facebook ai ka thënë se Astrit Dehari ishte mbajtur padrejtësisht në burg, dhe pavarësisht rrethanave, sipas tij, ai vdiq në duart e pushtetit.

Ahmeti thotë se nuk mund të flasim për drejtësi në Kosovë përderisa nuk ka drejtësi për Astrit Deharin.

Ky është statusi i tij:

Sot, para dy viteve, Astrit Dehari humbi jetën në burgun e Prizrenit. I akuzuar dhe I pa intervistuar fare, Astriti u mbajt në burg paarsyeshëm dhe padrejtësisht për muaj të tërë. Pavarësisht rrethanave, Astriti vdiq në duart e pushtetit. Deri më sot, askush nuk ka dhënë përgjegjësi, as politike e as ligjore.

Astriti ishte shembullor në çdo punë e aktivitet ku ka marr pjesë, qoftë në aspektin profesional, qoftë në rrafshin njerëzor. Por mbi të gjitha, ishte një qytetar i Republikës I cili vdiq sepse ishte padrejtësisht në burg. Shoqëria jonë nuk duhet të ndalet së kërkuari drejtësi për Astritin. Në raste të caktuara drejtësia e krejt shoqërisë varet nga drejtësia në raste individuale. Rasti I Astritit është rast i tillë.

Nuk mund të flasim për drejtësi në Kosovë përderisa nuk ka drejtësi për Astrit Deharin.