75 Mall Live Search
19:39 / E Premte, 08 Dhjetor 2017 / indeksADMonline

Aida Dërguti kishte “Revoltuar” aktivistët e VV-së edhe para tri ditësh [Foto]

Deputetja Aida Dërguti ofendoi kolegun e saj nga Lëvizja Vetëvendosje Albin Kurti, në një komunikim me anëtarët e tjerë të kësaj partie në platformën komunikuese Viber. Dërguti e quante “m**” Kurtin, teksa pyeste për situatën e tij në Gjykatë.

“Donikën e kan arrestuar prapë”, shkruante Dardan Molliqaj në bisedën në grup, me anëtarët e tjerë të Lëvizjes Vetëvendosje. Në bisedën e siguruar nga Insajderi, Aida Dërguti reagonte pas Molliqajt. Kërkonte të vihej në dijeni për situatën e Albin Kurtit.

“E atë M**in?”, shkruante Dërguti, teksa i referohej me term ofendues ish-kryetarit të partisë.

Biseda e anëtarëve të VV-së në një grup të platformës Viber, kishte ngjallur edhe reagimin e Visar Ymerit. Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje e ka qortuar deputeten Dërguti, pasi kjo e fundit ofendoi Albin Kurtin.

Sipas një një letërkëmbimi mes anëtarëve të kësaj Lëvizje dhe Visar Ymerit, ky i fundit tregon se për të ka qenë e papranueshme fyerja e Kurtit nga Dërguti, por që nuk tregohet se për çfarë fyerje bëhet fjalë.

“Kjo përkundër dyshimeve absurde të ngritura në letër. Me ta parë përdorimin e asaj fyerjeje e kam marrë Aidën në telefon dhe e kam qortuar për këtë gjë duke kërkuar nga ajo që t’i fyerjet e ofendimet menjëherë”, shkruan në letrën që Visar Ymeri i kishte dërguar Lëvizjes Vetëvendosje në Tiranë, pasi ata kanë kërkuar sqarim për rastin.

Por, reagime ndaj Dërgutit pati edhe para tre ditësh, kur ajo shkroi për fitoren e Lëvizjes Vetëvendosje në Komunën e Prizrenit. Aktivistë e adhurues të Lëvizjes Vetëvendosje e kritikuan Aida Dërgutin, për faktin se ajo nuk i jepte merita Albin Kurtit për fitoren në Prizren.

Dërguti nuk e përmendi ndikimin e Kurtit në fitoren e Mytaher Haskukës në zgjedhjet lokale, teksa falënderonte kryetarin e degës së NISMA-s në Prizren, Zafir Berishën; parti e cila kishte lidhur një marrëveshje koalicioni për balotazh, me Lëvizjen Vetëvendosje.

“Meqë përfundimisht u konfirmua fitorja e Mytës në Prizren, i kam borxh një falenderim publik deputetit Zafir Berisha për angazhimin e sinqertë dhe kontributin e jashtëzakonshëm në fitoren tonë në Prizren”, shkruante Dërguti në Facebook, para tre ditësh.

“Shoku Zafë, falemnderit shumë”, vazhdonte shkrimi i Dërgutit. “Natyrisht që fitorja do të ishte e pamundur pa angazhimin e aktivistëve e përkrahësve të LVV-së, si dhe elektoratit të LDK-së që në balotazh u përcaktuan për Mytën. Mirëpo, shokut Zafë i pata premtuar se do ta falenderoj në mënyrë të veçantë”. 

E pas këtij shkrimi të Dërgutit, aktivistë e simpatizantë të VV-së e kritikuan atë. I thanë se “Albin Kurti ishte meritori” për fitoren e VV-së në Prizren, e jo Zafir Berisha.