09:51 / E Enjte, 14 Dhjetor 2017 / indeksADMonline

Aida Dërguti tregon nëse do të largohet nga Vetëvendosja

Lëvizja Vetëvendosje nuk mundi ta shijojë fitoren në qytetet e Prishtinës, Prizrenit dhe Kamenicës pasi pa u certifikuar rezultatet përfundimtare nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kjo parti u përfshi nga një luftë suprizë e brendshme.

Vetëm pak orë nga publikimi i disa e-maileve u publikua edhe një pjesë nga biseda në grup të anëtarëve të VV-së dhe në këto biseda bie në sy që Dërguti duke iu referuar Kurtit ka pyetur: A e arrestuan atë mu*in?.

E megjithatë deri në këto momente gjithçka nuk ishte zyrtare dhe fare mirë mund të përgënjeshtrohej, por nuk ndodhi kështu dhe Aida pranoi publikisht që e kishte ofenduar Albin Kurtin. Madje, ajo kërkoi publikisht edhe falje për këtë veprim, por ndjekësit ishin shumë të ashpër në komente duke kërkuar edhe përjashtimin e saj. E për këtë Aida zgjodhi rrugën më të lehtë duke dhënë dorëheqje.

“Prandaj, unë sot kam dhënë dorëheqje nga detyra e Kryetares së Qendrës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Vushtrri dhe nga anëtarja e Kryesisë së Lëvizjes.” – thotë ndër të tjera ajo në një shkrim të publikuar në Facebook.

Menjëherë pas kësaj dolën lajme se Aida Dërguti do t’i bashkohet Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës ose Nismës për Kosovën.

Por, Albeu.com në një bisedë më Aida Dërgutin e pyeti nëse është i vërtetë largimi i saj nga Vetëvendosja, por kjo e fundit e përgënjeshtroi këtë lajm. Aida tha se vazhdon të jetë pjesë e Vetëvendosjes.

Tashmë zënkat e brendshme të Vetëvendosjes kanë kaluar në një rrafsh tjetër, pasi kryetari aktual Visar Ymeri nuk e mbështet një kandidim të Albin Kurtit për kryetar të Vetëvendosjes. E në këtë situatë ndarja po shkon në dy grupe dhe disa deputetë kanë filluar të hedhin akuza të pamëshirshme.

Këto akuza janë tepër të rënda saqë janë habitur edhe kundërshtarët politikë. Kurse kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, po fillon të bëjë shaka duke përmendur “Klanin M” në konferencat për media.

Ndërkaq, Albeu.com nga burime brenda partisë mëson se kjo grindje ekziston në më shumë se një vit.

I vetmi që po hesht ndaj kësaj gjendjeje është Shpend Ahmeti por edhe ky i fundit në një postim shkroi ditën e kaluar “Vetëvendosje”, duke nënkuptuar se për të ka rëndësi Vetëvendosja e jo lideri i saj.

Padyshim që kjo luftë brendapartiake do të ndikojë edhe në elektoratin e Lëvizjes.