22:05 / E Mërkurë, 16 Maj 2018 / indeksADMonline

AKPPM: Nuk ka parregullësi të pretenduara në agjencion

Agjensioni Kosovar për Produkte dhe Pajisje Medicionale (AKPPM) ka reaguar ndaj shkrimeve të publikuara në media rreth banderolave.

“Lidhur me një shkrim në një të përditshme kosovare, sot me datë 16 maj 2018, në të cilin artikull pretendohet se “avullohen rreth 1 milion banderola”, AKPPM, për hir të informimit  të drejtë, dëshiron të jap këto shpjegime për opionion, duke hedhur poshtë pretendimet e gazetës, të bazuara vetëm në informacione preliminare të një raporti të Auditorit, në të cilin nuk kanë qenë të përfshira ende shpjegimet e komentet e AKPPM-së për të gjitha çështjet e ngritura dhe si i tillë, raporti nuk ka qenë përfundimtar”, thuhet në reagim.

Në vijim janë shpjegimet për secilën çështje të ngritur nga gazeta.

Nuk ka pasur asnjë avullim të banderolave:

Për ta kuptuar këtë fakt, dhe për ta dëshmuar të kundërtën e asaj që është konstatuar në artikullin në fjalë, paraqesim këtu shpjegimet profesionale të dhëna nga z. Arian Zeneli I cili është përgjegjës për banderola dhe nga z. Sejde Tolaj nga departamenti I administratës. Situata është kësi soji:

Marrja e banderolave bëhet në përputhje me dispozitat ligjore të Udhëzimit Administrativ (UA-2013 për vendosjen e banderolave në produkte medicinale) që importohen, prodhohen dhe qarkullojnë në Republikën e Kosovës. I tere sistemi është transparent përmes sistemit online të quajtur “Barnatari”. Ne bazë të kalkulimit nga ky departament dhe krahasimeve mes pagesave të operatoreve të inkasuara, krahasimit me raport nga  thesari dhe lëshimit të tyre nga AKPPM rezulton se kemi përputhje të plotë, por për ta bërë ende më të cartë dhe të kuptueshëm situata me numra është kësisoj:

Janë 29320152 banderola minus 2056767, e që janë banderola të vitit 2016 e të shtypura në vitin 2017, dhe kjo krejt në përputhje me Ligjin (shiko ligjin 04L-190), baze ligjore sipas së cilës një operator ka mundësi të pajiset me leje dhe pas 3+3 muajve të kërkoje shtypjen e banderolave. Pra, kemi 27263385 banderola, e që në vlerë financiare janë 272,633.85  euro, të inkasauara.

Bazuar në shumën e lartpërmendur shtojmë edhe 1835546 banderola  të paguara në vitin 2017 dhe të shtypura në vitin 2018, edhe këto gjithherë sipas Ligjit të lartpërmendur, dhe sipas të cilës rezulton se nuk ka banderola të lëshuara më shumë se sa mjete që janë inkasuar. Përkundrazi, kemi 1703.97 euro më tepër të inkasuara dhe vetëm për sqarim dhe të mos ketë paqartësi, kjo ndodh në rastet ku kompania ka paguar banderolat, por nuk ka bërë ende kërkesën për të tërhequr të gjitha banderolat deri në skadim të licencës se importit. Edhe kjo procedurë është e paraparë në kuadër të normave ligjore, dhe në asnjë rrethanë nuk qëndron konstatimi i artikullit që ka pasur avullim banderolash. Pra, nuk ka avullim.

Nuk ka pasur dhënie avanceve në mënyrë të paligjshme nga AKPPM

Një nga çështjet që është ngritur është edhe dhënia e avanceve, kinse në mënyrë të paligjshme nga AKPPM. Ky është konstatim i pasaktë.

Me dëshirën më të madhe do të jepnim shumë sqarime në këtë pikë, por jemi të kufizuar në këtë kohë pasi që një hetim penal është duke vazhduar në këtë rast dhe nuk mund ti dëmtojmë ato hetime. Pas përfundimit të tij AKPPM do ta mbajë publikun të informuar për rastin.

Por, ajo çka mund të komentojë Agjencia deri tash është që rastin në fjalë e ka paraqitur Kryeshefi i AKPPM-së në Polici menjëherë pasi që është njoftuar nga Ministria e Shëndetësisë se MSH në sistem ka vërejtur se është një dallim mes asaj që neve si Agjenci na  është paraqitur dhe çka është vërejtur në sistem të MSh-së.

Policia i është përgjigjur ftesës së Kryeshefit, Jeton Shala  dhe pastaj ka shkuar në zyrën e tij dhe i ka mbledhur provat që ata kanë kërkuar nga Agjencia dhe nga zyrtarët e saj, i kemi fotokopjuar të gjitha provat që ata i kanë konsideruar të rëndësishme për hetimin e tyre.

Është e vërtetë që gjatë kësaj procedure policët hetues kanë kërkuar të sillen në zyrën e Kryeshefit prova që ata mendojnë se janë të rëndësishme për ta si dhe disa zyrtarë të Agjencisë janë ftuar nga ta bashkë me dokumentet që të u përgjigjen disa pyetjeve që hetuesit kanë menduar se janë me rëndësi për ta. Më vonë, disa nga ata zyrtarë janë ftuar edhe në Stacionin Policor përkatës, sipas nevojës që autoriteti në fjalë e ka pasur për hetimin. Për detajet e tjera mund të flasë veç autoriteti që po e bënë këtë hetim.

Në një çështje tjetër, zyrtari zotues i caktuar nga Kyeshefi ka qenë punëtor i AKPPM-së në të kaluarën, në atë kohë ka qenë punëtor i Inspektoratit Farmaceutik, është njoftuar kryeinspektori i tij që raporton direkt ministrit  dhe ka dhënë pëlqimin me vullnet të mirë, me shkrim, që i njëjti të ndihmojë AKPPM-në në atë periudhë për kërkesat legjitime të cilat janë bërë nga AKPPM-ja që te mos ngec puna, pasi që është fakt i ditur që Agjencia është në vështirësi në mungesë të punëtorëve- staf i pamjaftueshëm në numër. Pra nuk është e vërtetë që është bërë ndonjë angazhim pa dijeninë e mbikëqyrësit- rrjedhimisht Kryeinspektorit i cili e ka njoftuar tërë Departamentin e Administratës me shkrim për këtë lëvizje.

Nuk ka pasur udhëtime jashtë vendit pa nevojë dhe të zyrtarëve tjerë, pos të AKPPM-së

Një nga pyetjet e ngritura është edhe që një punëtorë e MSh-së me inicialet  L.A  ka bërë kërkesë për udhëtime te Agjencia. AKPPM nuk ka aprovuar që përmes AKPPM-së e lartpërmendura të udhëtojë me buxhet të AKPPM-së, përderisa ka qenë punëtore e MSH-se dhe e pezulluar aty. As në Hawai nuk jemi ne dijeni që kanë udhëtuar zyrtarët e lartë të AKPPM-së.

Ndërsa në Korenë e Jugut ka udhëtuar zyrtari G.S. që ka pasur prezantim në konferencë të farmacistëve, Në kryeqytetin e Kubës ka udhëtuar Kryeshefi me ftesë zyrtare të Institutit Onkologjik shtetëror ku  janë ftuar edhe shefat e agjencive të rajonit.

Përndryshe AKPPM nuk ka shpenzuar shume ne avanse edhe pse rreth 60000 euro i ka pasur të ndara, sipas Ligjit, dhe nga ky buxhet rreth gjysmën e ka shpenzuar në vitin paraprak.

Nuk ka pasur punësime të parregullta në Agjenci

Një çështje tjetër e ngritur nga pyetjet është edhe ajo e angazhimit me kontrata mbi vepër.  Me kontratat mbi vepër te gjithë janë angazhuar në kuptim të normave pozitive në Republikën e Kosovës dhe në konsultim paraprak të vijes vertikale, me qëllim të realizimit të detyrave të punës. Për çdo punëtorë ka pasur konkurs të hapur dhe janë paguar dhe zgjedhur në bazë të meritës dhe  angazhimit: Rrjedhimisht, për çdo njërin është respektuar Rregullorja e Rekrutimit dhe Shpalljes dhe Ligjet në fuqi.

Zyrtari i depos dhe zyrtarja e rikontrollimit të dosjeve ka pasur kërkesa edhe pas orarit është paguar më shume dhe ka qenë ne dispozicion tërë kohen, deri në normalizimin e gjendjes në atë departament ku ka qene i angazhuar.

Çdo punëtorë ka qenë meritor dhe po të ketë mundësi dhe buxhet, Agjencia do të hapë përsëri konkurs që të mos ngecin punët deri ne rregullimin e numrit të punëtorëve, ashtu si e parasheh Ligji 04l-190 dhe udhëzimet administrative, respektivisht.

Në AKPPM nuk ka trajtim jo të barabartë të kompanive rreth licencave

Është ngritur me pyetje edhe një çështje tjetër. AKPPM  sqaron se nuk ka trajtim të pabarabartë të operatoreve, përkundër kërkesave të shumta.

Mbi 3000 kërkesa vetëm në Departamentin e Licencimit janë proceduar brenda një viti.

Është çdo kërkesë transparente  dhe online. Edhe në rastet e vendosjes së përgjigjes negative, operatorëve iu është dhënë mundësia e ankesës përnjëherë në Bord të Ankesave dhe si e tillë konstatojmë që Agjencia është korrekt me operatorët dhe punët në Departamentin e Licencimit kryhen brenda afatit ligjor.

Shpresojmë që këto sqarime të dhëna nga AKPPM do të publikohen të plota. Është në interes të publikut të informohet që konstatimet mediale për parregullsi nuk qëndrojnë, dhe se  Agjencia është transparente, aq sa lejojnë Ligjet në fuqi, pa u dëmtuar privatësia e askujt, dhe më e rëndësishmja: pa ndërhyrë në procedurat eventuale hetimore të autoriteteve të tjera.