16:34 / E Mërkurë, 08 Nëntor 2017 / indeksADMonline

AKR dhe VV arrijnë marrëveshje për koalicion edhe në Mitrovicë (Dokument)

Aleanca Kosova e Re në Mitrovicë ka nënshkruar marrëveshje për koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje.

Këtë e ka bërë të ditur vetë kandidati i AKR-së për Mitrovicën, Agim Bahtiri  përmes një postimi në Facebook, duke thënë se qeverisjen një vjeçare kanë vendosur ta vazhdojnë edhe për katër vitet e ardhshme, transmeton Indeksonline.

“Sot së bashku me kryetarin e VV-së në Mitrovicë, Faruk Mujka, e nënshkruam marrëveshjen për koalicion qeverisës për komunën e Mitrovicës.Me VV-në bashkëqeverisim prej një viti dhe këtë bashkëpunim të sinqert dhe shumë të suksesshëm vendosëm ta vazhdojmë edhe për katër vite, duke i dhënë Mitrovicës qeverisje me duar të pastra dhe garanci të mos kthimit të krimit dhe korrupsionit, e cila i ka karakterizuar qeverisjet komunale paraprake”, ka shkruar ai.

Më tej ai ka falënderuar VV-në duke thënë se me qeverisjen e përbashkët nuk do t’i lënë të kthehen ata që e kanë ndarë dhe shkatërruar Mitrovicën.

“Unë e falënderoj VV-në të cilën e kam pasur çdo herë në mendje dhe në shpirt, sepse këta gjithmonë kanë punuar në të mirë të qytetarëve. Po ashtu i vlerësoj dhe falënderoj për punën që e kanë bërë deri më tash në komunë dhe prapë jemi vendosur t’i dërgojmë proceset përpara. Me qeverisjen tonë të përbashkët nuk do t’i lëmë të kthehen ata që e kanë ndarë dhe shkatërruar Mitrovicën”, ka shtuar ai.

Ndryshe, AKR dhe LVV kanë nënshkruar marrëveshje koalicioni gjatë ditës së sotme edhe në Prishtinë./Indeksonline/